Taravari kritikon BDI-në: Për 22 vite asgjë nuk keni bërë, ne do t’i bëjmë edhe ndryshimet kushtetuese dhe do ta heqim 20%shin
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në seancën për pyetje të deputetëve, deklaroi se BDI për 22 vite sa ka qenë në pushtet nuk ka bërë asgjë.
“Më tregoni një kilometër rrugë për 22 vite, përveç Bllacë Shkup 2 km se ato i përmendni prej vitit 2014, një km rrugë në Maqedoninë Perëndimore, zonja Arbana më përmendni një spital që e keni bërë, më përmendni një shkollë, asgjë nuk keni bërë. Asgjë përveç muhabeteve, keqpërdorimeve, krimit, korrupsionit, asgjë përveç demagogjisë të cilën e keni përdor”, deklaroi Taravari.
Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Taravari, tha se nëse ka formulë BDI për t’i bërë ato, atëherë do t;ua lëshojnë vendin në Qeveri, nëse jo, atëherë le të heshtin në opozitë.
“Në qoftë se jo, heshtni, rrini në opozitë reflektoni, reformohuni. Unë gëzohem që kryeministri është proevropian, gjithnjë e më shumë thirret prej SHBA-ve, ka raporte fantastike me shtetet e BE-së por edhe me SHBA-të. Rrini rehat, ju garantojë se fillimi i negociatave do të bëhet shumë shpejtë, shumë më mirë, shumë më lehtë me këtë qeveri sesa BDI-ja të ishte me të gjitha ata persona që i ka në lista të zeza”, ka deklaruar Taravari. /SHENJA/