Struga Trim Lum zyrtarizon transferimin e Qëndrim Ismajlit
Struga Trim Lum ka bërë përforcimin e radhës në afatin kalimtar, duke njoftuar angazhimin e futbollistit shqiptar nga Kosova, Qëndrim Ismajli.
27-vjeçari i bashkohet skuadrës strugane nga Teuta e Durrësit, ku luajti së fundmi në Superligën shqiptare. Gjatë karrierës së tij, Ismajli ka qenë pjesë edhe e Tiranës dhe Flamurtarit, ndërsa në Superligën e Kosovës ka luajtur për Gjilanin.
Transferimi te Struga Trim Lum do të jetë aventura e tij e parë në futbollin e Maqedonisë së Veriut.
Ismajli është një futbollist polivalent, i cili aktivizohet kryesisht në krahun e majtë të mbrojtjes, por mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes, në mesfushë si mesfushor qendror apo defensiv, si dhe në krahun e majtë të sulmit.
Klubi strugan e vlerëson pikërisht për këtë fleksibilitet, duke e konsideruar një futbollist të përshtatshëm për kërkesat e futbollit modern.
Me afrimin e Ismajlit, Struga Trim Lum synon të shtojë alternativat dhe konkurrencën në disa pozicione të formacionit për sezonin e ri.

