Starmer mbron planin për njohjen e mundshme të shtetit palestinez

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka mbrojtur planin e tij për njohjen e mundshme të një shteti palestinez, duke thënë se ekziston një “ndjenjë neverie” përballë vuajtjeve në Gaza.
Duke folur për Channel 5, Starmer theksoi se ky hap nuk përbën një përfitim propagandistik për Hamasin, të cilin e quajti “organizatë terroriste” që “nuk duhet të ketë asnjë rol në qeverisjen e Palestinës, në asnjë moment”.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të lehtësuar situatën e tmerrshme në Gaza. Nevojitet ndihmë e madhe dhe në përmasa të mëdha,” shtoi ai.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas njoftimit se Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin palestinez në muajin shtator, nëse Izraeli nuk përmbush disa kushte, përfshirë adresimin e krizës humanitare, shpalljen e armëpushimit dhe ripërtëritjen e perspektivës për zgjidhjen me dy shtete.
Qeveria izraelite e ka kritikuar qasjen e Starmer, ndërsa në fundjavë pritet një protestë në Londër kundër qëndrimit të tij.