Sponsori i KF Shkëndijës kërkon rishikimin urgjent të vendimit të FFM-së ndaj klubit

Sponsori i KF Shkëndijës kërkon rishikimin urgjent të vendimit të FFM-së ndaj klubit

Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ndaj KF Shkëndijës, sponsori i klubit ka reaguar ashpër, duke kërkuar që vendimi të rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht.

Sipas reagimit, KF Shkëndija konsiderohet si një nga klubet e pakta në vend që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe në përputhje të plotë me të gjitha obligimet sportive dhe financiare. Sponsori thekson se investimet, mundi dhe sakrificat e bëra ndër vite kanë qenë të mëdha, ndërsa klubi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në arenën ndërkombëtare.

“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane”, thuhet në reagim.

Sponsori e konsideron të papranueshme që, sipas tij, me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe një kontribut i tillë të shpërblehet me “goditje të qëllimshme”. Për këtë arsye, paralajmërohet se do të shqyrtohet edhe mundësia e tërheqjes nga klubi dhe nga futbolli në Maqedoninë e Veriut.

“Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thuhet më tej në deklaratë.

Në fund, sponsori u bën thirrje organeve të FFM-së që të reflektojnë me urgjencë dhe të veprojnë në interes të drejtësisë sportive, të klubit dhe të ardhmes së futbollit në vend.

MARKETING