Spitali Klinik i Tetovës do të modernizohet me investim prej rreth 74 milionë eurosh
Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski, së bashku me zëvendësministrin Jovica Andovski, drejtorin e Fondit për Sigurim Shëndetësor Zllatko Perinski, kryetarin e Komunës së Tetovës Bilall Kasami, një delegacion i Bankës Botërore dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, sot vizituan Spitalin Klinik në Tetovë. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Erzen Elezi.
Projekti për rikonstruksionin kapital të spitalit u prezantua sot në prani të ministrit të Shëndetësisë, dr. Sasho Klekovski, zëvendësministrit të Shëndetësisë Jovica Andovski, drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor Zlatko Perinski, kryetarit të Komunës së Tetovës Bilall Kasami dhe drejtorit të Spitalit Klinik të Tetovës, dr. Erzen Elezi, së bashku me delegacionin e Bankës Botërore dhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.
Vlera e parashikuar e investimit është 4,56 miliardë denarë, ose rreth 74 milionë euro, ndërsa modeli përfundimtar financiar do të përcaktohet pas përfundimit të analizave dhe procedurave të nevojshme.
Projekti parasheh rikonstruksionin dhe modernizimin e bllokut kirurgjik dhe atij internistik, ndërtimin e një pavijoni të ri për disa veprimtari mjekësore, një objekt të veçantë për gjinekologji, obstetrikë dhe neonatologji, furnizimin me pajisje moderne mjekësore dhe sisteme informatike, si dhe largimin e objekteve të amortizuara dhe rregullimin e plotë të kompleksit spitalor.
“Ky është një investim në dinjitetin dhe sigurinë e pacientëve, si dhe në kushte më të mira për punonjësit shëndetësorë. Qëllimi ynë është që qytetarët e Tetovës dhe Rajonit të Pollogut të marrin shërbime moderne dhe në kohë, pranë vendbanimit të tyre”, deklaroi ministri Klekovski.

