Spasovski: Jemi duke punuar në ngritjen e kallëzimeve penale kundër grupit që ka dërguar kërcënime hibride
Aktualisht po punohet në ekspertizën e materialeve dhe provave në mënyrë që të mund të ngriten kallëzime penale kundër grupit të lokalizuar që në periudhën e kaluar ka dërguar kërcënime hibride, deklaroi sot ministri për Punë të Brendshme, Oliver Spasovski.
Në përgjigje të pyetjes së një gazetari në lidhje me grupin që dërgonte kërcënime përmes adresave Aj-Pi në Iran dhe Rusi, ministri konfirmoi se ai është lokalizuar në bazë të aktiviteteve kriminale në të cilat punojnë sektorët për luftimin e terrorizmit, për trajtimin e krimit dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar policor.
“Në fillim kur filluan sulmet e tilla, ne njoftuam se punojmë së bashku me të gjitha organizatat ndërkombëtare në baza ditore. Kështu që në të gjithë procedurën dhe ndarjen tonë të të dhënave, informacioneve nga partneri ynë dhe detajet e plota do të mund t’i shpallim në momentin kur të përfundojë mbledhja e provave dhe përgatitja e kallëzimeve penale”, tha ai.
Sipas ministrit, përfundimi i procedurës varet nga përfundimi i ekspertizës.
“Asnjë zbulim i një vepre penale nuk mund të përcaktohet me një afat kohor. As në minuta, as në ditë, as në javë. Pastaj kur të përfundojë ekspertiza, kur të sigurohen provat, atëherë do të bëhet kallëzimi penal. Është shumë e rëndësishme që të keni punë cilësore dhe që ajo që dorëzoni të mbështetet me prova”, tha ai.
Lidhur me hetimin për sulmin në Fondin e Shëndetësisë, ministri tha se është pjesë e luftës hibride.
“Ky është një sulm hibrid dhe ende po punohet. Është një gjë e madhe sepse, ju e dini, atje është bërë një sulm në të cilin janë cenuar shumë dokumente dhe në këtë pjesë kemi pasur të tilla, kemi pasur edhe në Byronë e Prokurimit Publik, kështu që po punohet për të siguruar një mbyllje të plotë”; tha ministri.
I pyetur se si e interpreton faktin që Prokuroria e riklasifikon krimin, ministri u përgjigj se është punë e një institucioni tjetër.
“Prokuroria drejton hetimin dhe kualifikon krimin. Ne mund të kemi pikëpamjen tonë, pozicionin tonë në këtë fushë, dhe unë ende mendoj se kërcënimet ç[r vendose të bombave, duke shkaktuar frikë dhe padurim te popullata për një akt terrorist duhet të jenë një krim terrorizmi, por megjithatë, kjo është një çështje e një institucioni tjetër dhe ne do të veprojmë ashtu siç do të inicohen procedurat sepse hetimet i kryen ekskluzivisht Prokuroria Publike”, tha Spasovski.
Sa i përket numrit të raportimeve për kërcënime të rreme me bombë nëpër shkolla, ministri u përgjigj se kjo do të bëhet e ditur pas përfundimit të ekspertizës.
“Për momentin nuk mund të them sa do të jetë numri, sepse ekspertizat nuk janë kompletuar plotësisht , ndërsa nga ato ekspertiza do të dimë se cilat sulme dhe për çfarë periudhe kohore dhe në cilat institucione është drejtuar. Sigurisht, një pjesë e mirë e këtyre sulmeve, më së shumti mendoj se sulmet që i referohen janarit të këtij viti, kur u intensifikuan, do të mbyllen. Megjithatë, të presim derisa të dihet saktësisht sa për qind, tha ai, duke shtuar se deri më tani janë ngritur pesë kallëzime penale, të cilat janë edhe pjesë e kërcënimeve nëpër shkollat e Shkupit, e ndër të cilat, siç informoi ai, plotësisht është zbardhur rasti në Kavadar, Dellçevë dhe Tetovë.