Spanja voton: Konservatorët dhe e djathta ekstreme synojnë t’i japin fund qeverisjes së Sanchezit

Spanja voton: Konservatorët dhe e djathta ekstreme synojnë t’i japin fund qeverisjes së Sanchezit

Në Spanjë të dielën janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat konservatorët dhe e djathta ekstreme synojnë të sigurojnë shumicën parlamentare për t’i dhënë fund tetë viteve të qëndrimit në pushtet të kryeministrit Pedro Sanchez, raporton Anadolu.

Votimi filloi në orën 09:00 sipas kohës lokale në gjithë territorin e Spanjës kontinentale dhe Ishujt Balearikë. Qendrat e votimit në Ishujt Kanarie, një arkipelag spanjoll në brigjet veriperëndimore të Afrikës, që ndodhet një orë prapa, hapen një orë më vonë.

Më shumë se 38,6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat do të përcaktojnë përbërjen e Kongresit të Deputetëve me 350 vende dhe do të zgjedhin 209 senatorë.

Shumica e sondazheve para zgjedhjeve sugjeronin se Partia Popullore konservatore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox mund të siguronin së bashku shumicën parlamentare.

Megjithatë, ndalimi pesëditor në Spanjë për publikimin e sondazheve zgjedhore nënkupton se këto anketa janë kryer para debatit të vetëm televiziv mes katër kandidatëve, të mbajtur të enjten. Partitë e majta shpresojnë se paraqitja e tyre në këtë debat dhe shqetësimet për hyrjen e Vox-it në qeveri do të ndihmojnë në mobilizimin e votuesve.

Fushata zgjedhore përfundoi të premten, kur liderët kundërshtarë u bënë thirrje mbështetësve të tyre të dalin në votime. Kjo u pasua nga heshtja e detyrueshme e zgjedhore të shtunën, e njohur si dita e reflektimit.

“Një shumicë progresiste është brenda mundësive”, tha Sanchez para mbështetësve në tubimin përmbyllës të fushatës në Madrid, duke bërë thirrje për katër vjet të tjera në qeveri.

Lideri socialist u bëri thirrje votuesve të mbrojnë përparimet shoqërore të arritura gjatë qeverisjes së tij dhe të pengojnë të djathtën që t’i zhbëjë ato.

Kundërshtari i tij kryesor, lideri i Partisë Popullore, Alberto Nunez Feijoo, e përmbylli fushatën në Sevilje me premtimin se fitoren zgjedhore do ta shndërrojë në pushtet.

“Këtë herë do t’ia dalim, jo vetëm të fitojmë, por edhe të qeverisim”, tha ai.

– Kontestime për integritetin zgjedhor dhe debati televiziv
Partia Popullore fitoi numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet e vitit 2023, por nuk arriti të siguronte mbështetjen e mjaftueshme parlamentare për të formuar qeverinë. Sanchez e ruajti postin përmes marrëveshjeve me partitë e majta dhe ato rajonale.

Lideri i Vox-it, Santiago Abascal, i cili mbajti tubimin e tij të fundit në Valencia, gjithashtu paralajmëroi mbështetësit që të mos e konsiderojnë fitoren të sigurt.

“Shpresoj që të dal të dielën dhe t’ju them: ‘Misioni u përmbush, Pedro Sanchez po largohet’”, tha ai, duke bërë thirrje për pjesëmarrje të lartë në votime dhe duke pohuar se sondazhet e opinionit nuk mjaftojnë për të siguruar një qeveri me shumicë.

Ditët e fundit të fushatës u shoqëruan gjithashtu me mosmarrëveshje lidhur me integritetin e procesit zgjedhor. Sanchez u bëri thirrje Feijoos dhe Abascalit që ta pranojnë rezultatin, pasi ata ngritën dyshime për votimin nga jashtë vendit, votat me postë dhe procedurat e shtetësisë.

Ndërkohë, Ada Colau, liderja e koalicionit të majtë Frente Amplio, e përmbylli fushatën në Madrid, pas paraqitjes së saj në debatin televiziv mes katër kandidatëve të enjten, të cilën shumë analistë e vlerësuan si më të mirën.

“Ne e dimë se për çfarë bëhet fjalë. Bëhet fjalë për jetët e njerëzve dhe ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, tha ajo.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 20:00 sipas kohës lokale, ndërsa votimi në Ishujt Kanarie do të përfundojë në orën 21:00 sipas kohës kontinentale.

Ministria e Brendshme do të fillojë publikimin e rezultateve paraprake në atë moment, ndërsa një pasqyrë më e qartë pritet të krijohet më vonë gjatë natës, me përparimin e numërimit të votave.

Numërimi paraprak zakonisht përfundon në masë të madhe rreth mesnatës sipas kohës lokale, megjithëse garat e ngushta dhe numërimi i mëvonshëm i votave nga jashtë vendit mund të lënë disa mandate të papërcaktuara.

MARKETING