Spalletti s’i ndal lëvdatat për Zhegrovën: Së shpejti do të jetë në top formë, nuk e di si bën disa gjëra të çmendura
Trajneri Luciano Spalletti ka dhënë lëvdata të mëdha për sulmuesin Edon Zhegrova, duke deklaruar se së shpejti do ta kemi në top formë.
Zhegrova hyri si zëvendësues sërish te “Zonja e Vjetër”, këtë herë në barazimin pa gola ndaj Torinos, ku dha paraqitje pozitive pavarësisht që nuk e gjeti rrugën drejtë rrjetës.
Spalletti pas ndeshjes deklaroi se Zhegrova është i mençur dhe Juventusi duhet të përfitojë nga aftësitë e yllit kosovar.
“Nuk do të duhet shumë kohë që ta kemi në formën më të mirë. Djaloshi është i mençur, por sigurisht duhet ta luajmë atë lojë”.
“Ai mund të bëhet një “gjemb në anën tonë”, sepse ka atë çmendurinë për të provuar gjëra që ndoshta as vetë nuk e di si i bën”.
“Së bashku me Yildiz, le të themi se kemi disa “municione” në ato zona të fushës. Mund të luajmë me dy sulmues dhe ta provojmë këtë skemë. Openda është një sulmues i parë ose i dytë, kështu që është e realizueshme. Mund të luajmë edhe me një formacion 4-3-3”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Zhegrova tani do të udhëtojë për në Kosovë meqenëse është ftuar nga Franco Foda për dy ndeshjet e muajit nëntor, ndaj Sllovenisë respektivisht Zvicrës.

