Sot protestojnë mjekët amë

Sot protestojnë mjekët amë

Mjekët amë nga shëndetësia private nuk do të punojnë sot nga ora 12:00 deri në 16:00 në shenjë revolte, pasi kolegu i tyre u gjet i vdekur me plagë me thikë në parkingun përballë poliklinikës Zhelezara të premten. Kryetarja e Shoqatës së mjekëve privatë të familjes, Lilija Çolakova Dervishova, të premten në një prononcim për MPB-në, theksoi se është e nevojshme të miratohet ligji për veprimtarinë e mjekëve, i cili do të përcaktojë saktësisht kushtet, të drejtat dhe detyrat e mjekëve.
“I bëj thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që sa më shpejt të miratohet Ligji i cili do të mbrojë punën e mjekëve. Jemi vërtet të indinjuar dhe të tmerruar nga një akt i tillë, tha Çolakova-Dervishova.

Edhe Oda e Mjekëve ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme të rastit me mjekun e ndjerë.

“Theksojmë se asnjë lloj dhune në shoqëri nuk duhet toleruar, sepse dhuna nuk është një mënyrë e përshtatshme për zgjidhjen e problemeve. Kërkojmë që institucionet kompetente të veprojnë urgjentisht për këtë rast dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja dhe në përputhje me rrethanat të gjendet autori dhe ta sanksionojnë atë”, thuhet në njoftimin e Odës së Mjekëve të dërguar të premten.

Mjeku gjashtëdhjetë e shtatë vjeçar është gjetur me plagë me thikë në automjetin e tij në parkingun përballë Poliklinikës Zhelezara. Sipas denoncimit në polici, mjeku është gjetur nga djemtë e tij, të cilët kanë nisur ta kërkojnë pasi nuk është kthyer nga puna në shtëpi.

MARKETING