Sot është dita e fundit në shkolla, nxënësit nisin pushimet verore
Sot është dita e fundit e mësimit për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në vend. Pas përfundimit të vitit shkollor, ata do të jenë në pushim veror deri më 31 gusht.
Për më shumë se 14.500 maturantë, mësimi përfundoi më 15 maj. Ndërkohë, nesër (11 qershor), maturantët e regjistruar për provimin shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen provimit të detyrueshëm ekstern në gjuhën amtare – maqedonase, shqipe, turke ose serbe.
Kandidatët që kanë zgjedhur maturën profesionale shtetërore dhe maturën artistike shtetërore do ta japin këtë provim më 12 qershor. Ndërkaq, pjesa e parë e maturës, provimi zgjedhor ekstern, u zhvillua më 6 qershor.
Sipas të dhënave zyrtare, nga gjithsej 14.587 nxënës të regjistruar për provimet e maturës, 12.184 do t’i nënshtrohen maturës shtetërore, 2.276 maturës profesionale shtetërore, ndërsa 127 nxënës janë regjistruar për maturën artistike shtetërore.
Në të njëjtën kohë, gjysmëmaturantët gjatë këtij muaji duhet të kryejnë regjistrimin në vitin e parë të arsimit të mesëm. Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit Uslugi.gov.mk, duke përdorur qasjen e dedikuar për nxënësit nga llogaritë e tyre në schools.mk.
Pas aplikimit online, kandidatët do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në shkollat ku kanë aplikuar.

