Skender Rexhepi: Gënjeshtra e Mickoskit nuk zgjati as 24 orë!

Kryetari i Lëvizjes Populli, Skender Zejd Rexhepi, ka reaguar pas zhvendosjes së gjeneralit shqiptar, Besnik Emini, nga pozita e tij si komandant i Komandës së Operacioneve.
Më poshtë statusi i plotë i Rexhepit:
GËNJESHTRA E MICKOSKIT NUK ZGJATI AS 24 ORË…
Dje, gjatë shpalljes së konkursit për pranimin e 300 ushtarëve profesionistë, kryeministri i qeverisë monoetnike deklaroi se kriteret do të jenë vetëm profesionale, duke anashkaluar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.
Por nuk kaluan as 24 orë edhe kjo gënjeshtër u demaskua. Sot u shkarkua nga posti i Komandantit të Komandës së Operacioneve gjeneral Besnik Emini, një ushtarak i dëshmuar për profesionalizmin e tij, por me një “të metë” – ishte shqiptar.
Kjo qeveri nuk ka synim as përfaqësimin e drejtë etnik dhe as profesionalizmin. E vetmja agjendë që ndjek është promovimi i nacionalizmit maqedonas.
I nderuar gjeneral…
Nëse ka një ngushëllim në këtë padrejtësi, është fakti se jeni bërë pjesë e qindra shqiptarëve profesionistë të larguar e degraduar brenda vetëm 10 muajve të qeverisjes VMRO-VLEN.