Skandali i basteve trondit Italinë, Fagioli 587 mijë euro borxhe për “skedina”

Nga fashikujt e rinj të hetimeve për bastet e paligjshme sportive online në Itali, del në pah një shifër e bujshme për huatë që mesfushori i kombëtares axurre, Nicolò Fagioli arriti të merrte për të shlyer borxhet e grumbulluara përmes lojërave të fatit.
Në total, sipas asaj që raportohet në dekretin e sekuestrimit parandalues, mesfushori ka marrë 587 mijë euro borxh nga miqtë, shokët aktualë te Fiorentina dhe ish-shokët e tij tek Juventusi.
Një shumë shumë e lartë, e dorëzuar te fajdexhinjtë e Fagiolit nëpërmjet transfertave bankare në dyqanin e bizhuterive Elysium ose pagesave në kartat PostePay.
Por kush e ndihmoi ish-mesfushorin e Juventusit tani te Fiorentina për t’u marrë me borxhet në një mënyrë kaq domethënëse?
Për sa i përket botës së futbollit, mes atyre që kanë paguar para në dyqanin e bizhuterive Elysium ose kanë bërë pagesa për llogari të Fagiolit, ka lojtarë që mesfushori ka takuar në rrugëtimin e tij në ekipet kombëtare të të rinjve si Turati, Plizzari, Armini dhe Russo, shokë të skuadrës te Juve si Gatti, Dragusin, Zandreaa, por edhe në skuadrën aktuale si Lucasse, Di Massimo, Okoli, Sarr, Salami dhe Nardi.
Pagesat e tjera u bënë më pas nga njerëz të tjerë që ndoshta janë pjesë e rrethit miqësor të Fagiolit.
Në total, nga dhjetori 2021 deri në tetor 2023, 31 persona të ndryshëm janë përfshirë në financimin e Fagiolit, me pagesa që nisin nga 3500 euro (asnjëri prej tyre nuk ka luajtur në faqe ilegale).
Në shifra, ndihma më e konsiderueshme ka ardhur nga Francesco Luciani (73 mijë euro), i ndjekur nga Okoli, Dragusin dhe Gatti me 121 mijë euro.
Së fundi, një diskutim më vete për Dushan Vlahovic. Emri i sulmuesit të Juventusit figuron në faqen e parafundit të dekretit për dy pagesat prej 50 mijë eurosh në argjendarinë Elysium, por hetuesit nuk e përfshijnë serbin në listën e personave që ndihmuan Fagiolin, duke i justifikuar shifrat me blerjen e mundshme të disa orëve.