Liga e Kombeve nuk do të jetë më siç e njohim, UEFA prezanton ndryshimet e reja

Liga e Kombeve nuk do të jetë më siç e njohim, UEFA prezanton ndryshimet e reja

UEFA ka konfirmuar ndryshime të rëndësishme në formatin e Ligës së Kombeve, të cilat do të hyjnë në fuqi nga edicioni 2028/29. Gara do të kalojë nga katër liga në tri, ndërsa Liga D do të zhduket.

Sipas formatit të ri, secila ligë do të përbëhet nga 18 përfaqësuese, të ndara në tri grupe me nga gjashtë ekipe.

Meqë në garë marrin pjesë 55 kombëtare, Liga C do të ketë një grup me shtatë skuadra.

Ekipet do të luajnë gjithsej gjashtë ndeshje kundër pesë kundërshtarëve të ndryshëm.

Përballjet do të zhvillohen në shtëpi ose në udhëtim ndaj përfaqësueseve nga vazot e tjera, ndërsa kundër një kundërshtari të së njëjtës vazo do të luajnë dy herë, në shtëpi dhe jashtë.

UEFA ka bërë të ditur se çerekfinalet, turneu Final Four dhe ndeshjet e ‘play-off’-it për ngjitje e rënie do të vazhdojnë të jenë pjesë e formatit të ri.

Ndryshimet synojnë ta bëjnë garën më konkurruese dhe të zvogëlojnë numrin e ndeshjeve pa rëndësi të madhe.

Ndryshimet do të zbatohen pas përfundimit të EURO 2028, ndërsa UEFA ka njoftuar se detajet përfundimtare të formatit do të përcaktohen në vijim.

MARKETING