“Sistemi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar nën presion më shume sesa në kulmin e pandemisë”

“Sistemi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar nën presion më shume sesa në kulmin e pandemisë”

Sipas një zyrtari mjekësor, sistemi shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar është nën presion më shumë sesa ishte gjatë kulmit të pandemisë COVID-19, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Shoqatës për Mjekësi Akute, Tim Cooksley, për transmetuesin britanik ‘Sky News’, tha se stafi mjekësor është “nën presion si kurrë më parë”, duke shtuar se politikanët duhet të dëgjojnë punonjësit e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS).

Cooksley tha se ka nevojë të “mendohet me kujdes” si të menaxhohet kriza, si dhe bëri thirrje për “disa veprime urgjente”.

“Nuk ka pasur kurrë një njohje më të madhe në mesin e të gjithë stafit se situata jonë aktuale është më e keqe sesa ka qenë ndonjëherë”, tha ai.

Po ashtu edhe kreu i Konfederatës NHS, Matthew Taylor, theksoi se shërbimet shëndetësore janë nën “tension të padurueshëm”.

“Kjo do të thotë se ne nuk jemi në gjendje të ofrojmë shërbim si zakonisht”, tha Taylor.

Partia liberal-demokrate e Mbretërisë së Bashkuar tha se parlamenti “duhet të thirret pasi kriza e NHS-së është një situatë jetë apo vdekje për një numër të madh pacientësh”.

“NHS-ja po shembet para syve tanë, ndërsa kryeministri dhe sektori i shëndetësisë nuk duken askund. Parlamenti duhet të thirret dhe të shpallet një incident i madh kombëtar për ta vendosur NHS-në përsëri në një bazë të stilit pandemik”, tha Deisy Cooper, nënkryetare e partisë liberal-demokrate.

Shërbimet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar janë përballur me vështirësi në rritje për shkak të grevave të vazhdueshme nga punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe rritjes alarmante të rasteve të gripit.

Zyrtarët e Kolegjit Mbretëror të Mjekësisë Emergjente (RCEM) për BBC-në thanë se rreth 300 deri në 500 njerëz më shumë po vdesin çdo javë për shkak të vonesave në kujdesin urgjent.

MARKETING