Siria akuzon Izraelin se po armatos dhe financon milici në Suwayda për të mbjellë “kaos”
Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad al-Shaibani, akuzoi Izraelin se mbështet milicitë e armatosura që veprojnë jashtë autoritetit shtetëror në qytetin jugor Suwayda, duke u siguruar atyre armë dhe para për të zbatuar një “agjendë kaosi” në rajon, transmeton Anadolu.
Al-Shaibani i bëri këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media në Damask me Sabrina Dallafiorin, drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), raportoi Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA).
Ai akuzoi Izraelin se po përpiqet të destabilizojë Sirinë që nga dhjetori i vitit 2024, kur u rrëzua regjimi i Assadit, përmes sulmeve ndaj infrastrukturës dhe pushtimit të territoreve të tjera siriane.
Ministri akuzoi gjithashtu forcat izraelite për zhvendosjen me forcë të sirianëve dhe kryerjen e arrestimeve arbitrare, duke thënë se fati i dhjetëra të ndaluarve sirianë mbetet i panjohur.
Al-Shaibani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndalë veprimet izraelite që kërcënojnë ta zhysin rajonin në kaos, si dhe kërkoi rikthimin te marrëveshja e vitit 1974 për ndarjen e forcave, duke mundësuar zbatimin e saj nga forcat e OKB-së.
Ai i bëri thirrje Izraelit që të angazhohet seriozisht në negociatat e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, të cilat, sipas tij, kanë vijuar prej një viti e gjysmë, duke theksuar përkushtimin e Damaskut për arritjen e një marrëveshjeje që respekton sigurinë dhe sovranitetin e Sirisë.
Izraeli ka pushtuar pjesën më të madhe të Lartësive të Golanit të Sirisë që nga viti 1967. Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit, forcat izraelite morën kontrollin e zonës tampon të çmilitarizuar dhe zgjeruan praninë e tyre në jug të Sirisë.
Marrëveshja e vitit 1974 për ndarjen e forcave krijoi një zonë tampon, të monitoruar nga OKB-ja, mes forcave siriane dhe izraelite.
Siria dhe Izraeli kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, me synimin për të ulur tensionet, për të ndalur operacionet ushtarake izraelite dhe për të arritur një marrëveshje sigurie.
Në gusht, delegacionet siriane dhe izraelite u takuan në Jordani nën ndërmjetësimin e SHBA-së për të diskutuar masat për ndalimin e sulmeve, arrestimeve dhe operacioneve ushtarake izraelite, si dhe tërheqjen e forcave izraelite në pozicionet që mbanin para dhjetorit të vitit 2024.

