Siljanovska-Davkova: Balancuesi ishte burim i korrupsionit, nuk ishte zgjidhje
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi sot se shfuqizimi i “balancuesit” ka qenë i domosdoshëm për shkak të rreziqeve korruptive që krijonte, duke theksuar njëkohësisht se çështjet e shtetësisë jorezidente, marrëdhënieve me Bullgarinë dhe politikave energjetike janë komplekse dhe duhet të zgjidhen përmes parimeve kushtetuese, debatit publik dhe respektimit të standardeve njerëzore dhe ekologjike.
Në deklaratë për media, Siljanovska-Davkova tha se i ashtuquajturi “balancues”, në formën në të cilën ekzistonte, në thelb çonte drejt korrupsionit dhe kriminalizimit.
“Nuk mendoj se bëhet fjalë për rrënim, sepse balancuesi, ashtu siç ishte, në thelb çonte drejt korrupsionit dhe kriminalizimit. Emërimi në pozitat më të larta ishte i përqendruar në duart e individëve dhe ata fitonin pushtet enorm, pothuajse sulltanor. Nuk e shfuqizuam balancuesin sepse deshëm, por sepse kjo ishte e theksuar në raport”, tha Siljanovska-Davkova.
Lidhur me çështjen e shtetësisë jorezidente, ajo u shpreh se zgjidhjet duhet të merren përmes argumenteve.
“Çështja është komplekse. Ka shtete ku ekziston shtetësia e dyfishtë dhe ka shtete ku nuk ekziston. Sot të gjithë përballemi me eksod dhe mungesë të fuqisë punëtore dhe flasim për qenie njerëzore që gjithashtu kanë të drejtë për jetë”, tha presidentja, duke shtuar se zgjidhjet duhet të merren pas një debati të gjerë publik dhe me matjen e argumenteve “pro” dhe “kundër”.
Sa i përket pritjeve të saj për marrëdhëniet me qeverinë e re të Bullgaria, Siljanovska-Davkova deklaroi se pritjet duhet t’i drejtohen qeverisë së re bullgare dhe presidentit Rumen Radev, duke theksuar se populli bullgar pret stabilitet, reforma dhe luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.
“Unë gjithmonë bisedoj “bona fide”, por nëse do të ketë përmirësim të marrëdhënieve do të varet nga bashkëbiseduesit”, tha ajo, duke iu referuar edhe takimit me nënkryetaren e Bullgarisë, Ilijana Jotova, që sipas saj kishte qenë miqësor, frymëzues dhe premtues kur është jashtë kontekstit të politikës së përditshme.

