Shtyhet seanca për “Lotarinë Shtetërore”, mbrojtja kërkon kohë për provat
Seanca kryesore për rastin “Lotaria Shtetërore”, ku janë të akuzuar tetë persona, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.
Avokatët thanë se nuk e kanë marrë aktakuzën dhe se nuk kanë pasur qasje në të gjitha provat e Prokurorisë.
Gjyqtarja Biljana Shuplinovska Jolevski sqaroi se dosja është e madhe dhe përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale. Për shkak të vëllimit, provat janë vendosur në kuti në gjykatë, ku avokatët mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë.
Edhe mbrojtja e Perpetim Bajramit, i cili ndodhet në arrati, deklaroi se nuk e ka marrë aktakuzën. Gjykata njoftoi se aktakuza dhe provat do t’u dorëzohen avokatëve.
Meqë rasti është në procedurë paraburgimi, mbrojtjes do t’i jepen rreth dhjetë ditë për t’i shqyrtuar provat. Pas kësaj, seancat pritet të mbahen dy herë në javë.
Të akuzuar në këtë rast janë Perpetim Bajrami, Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Mehmeti, Fatmir Ramafanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi.
Ata akuzohen për keqpërdorime lidhur me funksionimin e Lotarisë Shtetërore. Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar ndaj Lotarisë Shtetërore vlerësohet në rreth 8.2 milionë euro.
Prokuroria në gjykatë përfaqësohet nga prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit.

