Shqipërinë në 8 muajt e fundit e vizituan 9.4 milionë turistë

Shqipërinë në 8 muajt e fundit e vizituan 9.4 milionë turistë

Sektori i turizmit dhe flukset e lëvizjes së shtetasve në Shqipëri vijuan prirjen e rritjes edhe gjatë sezonit veror të këtij viti. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave në Shqipëri (INSTAT), mbështetur në të dhënat administrative të Policisë së Shtetit, vetëm gjatë muajit Gusht 2026 në territorin e Shqipërisë kanë hyrë më shumë se 3.45 milionë shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje prej 2,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

MARKETING

Shik.mk

Aktiviteti i shtuar në të gjitha pikat kufitare — tokësore, ajrore dhe detare — pasqyron një konsolidim të mëtejshëm të Shqipërisë si një destinacion kyç turistik në rajon.
Fluksi i muajit gusht, mbizotërojnë vizitorët e huaj

Gjatë muajit Gusht 2026, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vend ka arritur në 2.429.532 persona, me një rritje prej 2,0% në krahasuar me Gushtin e vitit 2025. Paralelisht, hyrjet e shtetasve shqiptarë kapën shifrën e 1.030.056 personave, duke u rritur me 4,4%.
Lëvizjet në dalje shfaqën një dinamikë edhe më të lartë: gjithsej nga territori shqiptar dolën 3.571.685 shtetas (rritje vjetore 7,1%). Prej tyre, daljet e të huajve u rritën me 7,5% (2.516.707 persona), ndërsa ato të shtetasve shqiptarë pësuan një rritje prej 6,1% (1.054.978 persona).
Përmbledhja progresive për tetë muajt e parë të vitit 2026 tregon se Shqipëria ka pritur gjithsej 15.452.553 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ose 5,6% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Shifra e shtetasve të huaj që kanë vizituar vendin nga Janari në Gusht ka arritur në 9.443.700 persona (një rritje prej 5,3%), duke konfirmuar ecurinë pozitive drejt kapërcimit të rekordeve të mëparshme vjetore. Ndërkaq, hyrjet e shtetasve shqiptarë kapërcyen pragun e 6 milionëve (6.008.853 persona, +6,2%).
Përmes një shënimi sqarues për përdoruesit e statistikave, INSTAT bëri me dije se për publikimin e muajit Gusht 2026 treguesit paraqiten përkohësisht vetëm në nivel të përmbledhur.

INSTAT po bashkëpunon me Departamentin për Kufirin dhe Migracionin për harmonizimin e serive kohore, ndërsa treguesit e detajuar sipas pikave kufitare apo kombësive do të publikohen pas përfundimit të verifikimeve.

MARKETING