Shkëndija e nis furishëm kampionatin, mposht bindshëm Shkupin

Shkëndija e Tetovës e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në kampionatin vendor, duke triumfuar me rezultat të thellë 5:1 ndaj Shkupit, në ndeshjen hapëse të xhiros së parë në elitë, raporton SHENJA.
Pjesa e parë foli për kampionët në fuqi, të cilët realizuan dy herë në portën kundërshtare përmes Ramadanit dhe Zejnullait, ndërsa për mysafirët shënoi Malik.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë e drejtuar nga Jeton Beqiri u treguan edhe më dominues në çdo aspekt të lojës, duke e kontrolluar plotësisht ndeshjen dhe duke mos lënë asnjë dyshim për fituesin. Ibraimi nuk mund të mungonte në listën e golashënuesve, duke realizuar dy gola, ndërsa pak para përfundimit të ndeshjes, Latifi vulosi rezultatin përfundimtar 5:1.
Ndërkohë, në orën 20:00 është në program përballja tjetër e xhiros së parë, mes Vardarit dhe Pelisterit. /SHENJA/