Shkencëtarët transportojnë bërthamat më të vjetra të akullit të Antarktikut në Evropë

Shkencëtarët kanë nxjerrë bërthama të thella akulli nga Antarktiku në kuadër të e projektit “Beyond EPICA – Akulli më i vjetër”, që synon të zbulojë historinë klimatike të Tokës që shtrihet në më shumë se 1,2 milion vjet, transmeton Anadolu.
Projekti, i financuar nga Komisioni Evropian dhe i koordinuar nga Instituti i Shkencave Polare të Këshillit Kombëtar të Kërkimeve të Italisë (Cnr-Isp), pritet të kontribuojë ndjeshëm në shkencën e klimës.
Bërthamat e akullit, të shpuara nga një thellësi prej 2.800 metrash, po transportohen në Evropë me anijen kërkimore “Laura Bassi”, ku ato ruhen në kontejnerë në minus 50 gradë Celsius për të ruajtur integritetin e tyre. Ato fillimisht do të mbërrijnë në Itali përpara se të dërgohen në Gjermani, ku shkencëtarët do t’i ndajnë në seksione për t’i shpërndarë më tej nëpër laboratorë.
Studiuesit shpresojnë të rindërtojnë modelet klimatike, duke studiuar temperaturat historike atmosferike dhe përqendrimet e gazit serrë që datojnë mbi 1,2 milion vjet më parë.
Një ekip shumëkombësh studiuesish nga 10 vende evropiane ka kryer shpimin për tre muaj në një lartësi prej 3.200 metrash mbi nivelin e detit. Duke punuar në kushte ekstreme, ku temperatura mesatare e verës ishte minus 35 gradë Celsius, ata kanë arritur në shtratin e shtresës së akullit të Antarktikut.
“Një arritje e jashtëzakonshme u arrit gjatë sezonit të fundit të shpimit. Në ditët e fundit, ne planifikuam analizat e ardhshme që do të zbulojnë historinë e klimës së kaluar gjatë 1,2 milion viteve të fundit – dhe ndoshta edhe më tej. Presim të marrim mostrat së shpejti”, ka thënë, Carlo Barbante, profesor në Universitetin Ca’ Foscari të Venecias dhe koordinator i Beyond EPICA.