Fondi më i madh sovran i pasurisë në botë humb gati 30 miliardë dollarë në tremujorin e tretë

Fondi më i madh sovran i pasurisë në botë humb gati 30 miliardë dollarë në tremujorin e tretë

Fondi Global i Pensioneve të Qeverisë së Norvegjisë, fondi më i madh sovran i pasurisë në botë, regjistroi një humbje kontabël prej 278 miliardë koronash norvegjeze (29,6 miliardë dollarë) në tremujorin e tretë të vitit 2026, pasi rritja e normave të interesit ndikoi negativisht në investimet e tij në obligacione, bëri të ditur të enjten administruesi i fondit, transmeton Anadolu.

MARKETING

Shik.mk

Fondi shënoi kthim negativ prej 0,5 për qind gjatë periudhës korrik-shtator, sipas Norges Bank Investment Management.

Investimet me të ardhura fikse shënuan kthim negativ prej 3,5 për qind ndërsa aksionet u rritën me 0,5 për qind. Investimet në pasuri të paluajtshme të palistuara në bursë shënuan kthim prej 0,4 për qind ndërsa investimet në infrastrukturën e energjisë së rinovueshme të palistuar u rritën me 7,5 për qind.

Kthimi i përgjithshëm ishte 0,18 pikë përqindjeje më i ulët se ai i indeksit referues të fondit.

“Kthimi i fondit ishte pothuajse i pandryshuar, duke përfunduar lehtësisht në territor negativ, pasi rritja e normave të interesit çoi në rezultate më të dobëta nga investimet tona me të ardhura fikse”, tha Trond Grande, zëvendësdrejtor ekzekutiv i Norges Bank Investment Management.

Grande tha se edhe kthimet nga aksionet ishin afër zeros, megjithëse rezultatet ndryshonin ndjeshëm nga një sektor në tjetrin. Kompanitë e energjisë shënuan rritjen më të madhe ndërsa sektorët e ndjeshëm ndaj normave të interesit, përfshirë shërbimet utilitare dhe pasuritë e paluajtshme, shënuan rënie.

Vlera e përgjithshme e fondit ra me rreth 71,5 miliardë dollarë gjatë tremujorit. Krahas humbjes kontabël, forcimi i koronës norvegjeze e uli vlerën e tij me rreth 50,3 miliardë dollarë ndërsa hyrjet neto të mjeteve financiare, pas kostove të administrimit, e rritën atë me rreth 8,5 miliardë dollarë.

Më 30 shtator, fondi kishte një vlerë prej rreth 2,35 trilionë dollarësh.

Aksionet përbënin 72,1 për qind të portofolit të tij, të ndjekura nga investimet me të ardhura fikse me 25,8 për qind, pasuritë e paluajtshme të palistuara me 1,6 për qind dhe infrastruktura e energjisë së rinovueshme e palistuar me 0,5 për qind.

MARKETING