Shefja e politikës së jashtme të BE-së paralajmëron për “partitë e verbra” ndaj kërcënimit rus pas fitores së AfD-së
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka paralajmëruar për fuqizimin e partive politike që, sipas saj, janë “të verbra” ndaj kërcënimeve që vijnë nga Rusia, pas fitores së Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë në zgjedhjet rajonale, transmeton Anadolu.
Duke folur së bashku me kryeministrin lituanez, Mindaugas Sinkevicius, gjatë një vizite në Lituani, Kallas tha se sabotimet dhe kërcënimet e tjera po afrohen gjithnjë e më shumë me Evropën.
“Në të njëjtën kohë, partitë që në njëfarë kuptimi janë të verbra ndaj këtij kërcënimi dhe thonë se nuk duhet të bëjmë asgjë për të, sepse nuk është puna jonë, po forcojnë pozitat e tyre”, tha ajo.
AfD-ja fitoi rreth 44 për qind të votave në zgjedhjet e së dielës në landin lindor të Saksoni-Anhaltit, duke më shumë se dyfishuar mbështetjen krahasuar me zgjedhjet e mëparshme të landit në vitin 2021.
Partia përfundoi shumë përpara Unionit Kristian Demokrat (CDU) të kancelarit Friedrich Merz, i cili siguroi rreth 17 për qind të votave, por nuk arriti shumicën e nevojshme për të formuar atë që do të ishte qeveria e parë rajonale e ekstremit të djathtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Pra, kam frikë se mund të zgjohemi në një situatë ku nuk kemi bërë mjaftueshëm për të frenuar kërcënimet dhe për të mbrojtur veten”, tha Kallas.
“Por, sigurisht, vetë populli gjerman, si një vend demokratik, duhet të bëjë zgjedhjet e veta”, shtoi ajo.

