Shasivari për Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë: Misioni ynë ka qenë thjesht profesional, jo politik
Profesori universitar Jeton Shasivari, i cili ishte pjesë e grupit punues, në emisionin “Debat” në TV Shenja, foli për nevojën dhe procesin e hartimit të Propozim-ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, pas shfuqizimit të mekanizmit të njohur si “Balancuesi”. Shasivari theksoi se nevoja për një ligj të ri nuk erdhi vetëm si pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Balancuesit, por edhe nga kritikat e vazhdueshme të Komisionit Evropian.
Sipas Shasivarit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në tetor të vitit 2024, u krijua një vakum juridik, duke e bërë të domosdoshme hartimin e një ligji të posaçëm që do të operacionalizonte parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.
Ai bëri të ditur se në grupin punues kanë marrë pjesë profesorë universitarë të së drejtës kushtetuese, të cilët kanë punuar mbi baza profesionale dhe jo politike.
“Nuk ka pasur agjenda politike. Secili kemi dhënë kontributin maksimal që zgjidhja finale të jetë sa më e mbrojtshme në aspektin kushtetues dhe të ndërtojë një sistem institucional funksional”, u shpreh Shasivari.
Ai shtoi se gjatë procesit ka pasur debate të shumta profesionale brenda grupit punues, ndërsa debati publik pritet të zhvillohet tani në procedurën parlamentare.
Shasivari potencoi se ligji i ri paraqet për herë të parë një zgjidhje të dedikuar në rendin juridik të Maqedonisë së Veriut për operacionalizimin e këtij parimi kushtetues, duke përfshirë mekanizma dhe standarde ndërkombëtare e evropiane.
“Ne kemi qenë të propozuar, mirëpo misioni jonë misioni ynë ka qenë thjesht profesional si njohës të fushës dhe kjo ka qenë edhe detyra kryesore domethënë nuk ka pasur aty as argumente kuptim politik, ka qenë një qasje profesionale që të vijmë deri tek një zgjidhje e cila më së miri do t’i përgjigjet, do ta operacionalizojë”, tha Shasivari.

