Sedat Baftiu emërohet anëtar i drejtorisë sportive të Komitetit Olimpik

Sedat Baftiu është emëruar anëtar i drejtorisë sportive në Komitetin Olimpik të Maqedonisë së Veriut.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Baftiu përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe një foto me kryetarin e Komitetit Olimpik Daniel Dimevskin dhe drejtorin sportiv Vllado Bogoevskin.
“Gjatë takimit diskutuam për çështje të rëndësishme në sport, me fokus të veçantë tek sportet luftarake. Pres me padurim një bashkëpunim të frytshëm dhe në nivelin më të lartë për të çuar përpara sportin në vendin tonë. Njëherësh, në mandatin dhe ciklin katër vjeçar olimpik, do të bëjmë përzgjedhjen edhe të sportistëve, pjesëmarrës të mundshëm në Lojërat Olimpike të vitit 2028, gjithashtu edhe stipendistëve”, ka shkruar mes tjerash Sedat Baftiu.
Ky i fundit është një figurë e njohur e sportit të mundjes në vendin tonë, ku viteve të fundit ka shërbyer si trajner te klubi i mundjes Liria si dhe ka qenë seleksionues i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut për senior dhe për kadetë. Kujtojmë që nën drejtimin e tij, Besir Alili arriti të fitojë medaljen e argjendtë në Kampionatin Europian për kadetë në vitin 2018 dhe Elmedin Sejfullahu dy herë medalje bronztë, teksa në vitin 2022 nën udhëheqjen e tij, Vladimir Egorov u shpall kampion Europe.