Seanca e parë plenare për promovimin e barazisë gjinore

Seanca e parë plenare për promovimin e barazisë gjinore

Kuvendi sot do të mbajë seancën e 107-të, seancën e parë plenare ekskluzivisht kushtuar promovimit të barazisë gjinore. Në të njëjtën kohë shënohet edhe 20 vjetori i themelimit të Klubit të Deputeteve.

Në rendin e ditës të kësaj seance është edhe Informacioni për progresin në çështjet gjinore në dy dekadat e fundit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Informacionin do ta prezantojë ministrja e Punës edhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, ndërsa do të flasin edhe deputetët aktualë.

Siç informojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, në fund të seancës plenare është planifikuar të arrihen konluzione. Seanca do të mbahet në sallën “Maqedonia”, ndërsa për shkak të pranisë të më shumë të ftuarve e njëjta do të përcillet edhe nga salla “Kupola e Madhe”.

Nga Kuvendi paralajmërojnë se si mysafirë do të marrin pjesë ministret në Qeverinë e Repulbikës së Maqedonisë së Veriut, zëvendësministret, përfaqësues të trupit diplomatik dhe të organizatave joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, me theks në NDI, OSBE dhe UN Women, të cilët në vazhdimësi bashkëpunojnë me Klubin e deputeteve në Kuvend, që nga themelimi në vitin 2003 deri më sot.

Theksojnë se ftesa për pjesëmarrje u janë dërguar edhe ish-ministreve në Qeveri, si dhe ish-deputeteve në periudhën nga viti 2003, përkatësisht duke filluar nga përbërja e katërt e Kuvendit (2002-2006), duke përfunduar me përbërjen e mëparshme (2016-2020).

Për nder të përvjetorit të Klubit të deputeteve, pas përfundimit të seancës plenare në Sallën e kristalit është planifikuar edhe një ceremoni e përshtatshme, në të cilën do të ndahen mirënjohje për ish kryetaret e Klubit të Deputeteve, për organizatat që kanë nisur iniciativa dhe kanë marrë pjesë në themelimin e Klubit dhe për disa organizata ndërkombëtare.

Në pjesën ceremoniale, siç theksojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë, përveç kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, do të drejtohet edhe ish deputetja Eleonora Petrova – Mitevska, kryetarja e parë e Klubit të deputeteve, ndërsa në emër të të gjithë marrësve të mirënjohjeve do të drejtohet Cvetanka Ivanova, ish kryetarja e Klubit të deputeteve dhe sekretarja aktuale e përgjithshme e Kuvendit. Mirënjohjet do t’i ndajë kryetarja aktuale e Klubit të Deputeteve, Lolita Ristova.