Scholz: Putini nuk më ka kërcënuar
Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë kërcënim nga presidenti rus Vladimir Putini, në bisedat e tij telefonike që i kishte me të.
Këtë deklaratë Scholz e ka bërë në një intervistë për gazetën e së dielës “Bild am Sonntag”.
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson, duke folur për BBC për një dokumentar në fillim të kësaj jave, tha se lideri rus e kishte kërcënuar atë me një sulm raketor që do të zgjaste vetëm një minutë. Mirëpo këtë deklaratë të Johnsonit Kremlini e quajti gënjeshtër.
Scholz tha se bisedat që ai pati me Putinin e bënë të qartë se ata kishin pikëpamje shumë të ndryshme për luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion special ushtarak”.
“Unë ia bëj shumë të qartë Putinit se Rusia ka përgjegjësinë e vetme për luftën”, tha Scholz.