Ministri izraelit Ben-Gvir emëron “familjarë të të vrarëve izraelitë” si inspektorë burgjesh
Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka vendosur të emërojë familjarë të izraelitëve të vrarë si inspektorë zyrtarë të burgjeve, në një lëvizje që synon ashpërsimin e kushteve të ndalimit për të burgosurit palestinezë, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi izraelit “Channel 12”, burime pranë Ben-Gvirit thanë se “sipas ministrit, qëllimi është përkeqësimi i kushteve të të burgosurve të sigurisë”.
Izraeli përdor termin “të burgosur të sigurisë” për të përshkruar të ndaluarit palestinezë.
Sipas transmetuesit, Ben-Gvir ka vendosur që në vend të profesionistëve të kualifikuar, të emërojë anëtarë familjesh si vizitorë dhe inspektorë zyrtarë të burgjeve ku ndodhen të burgosurit palestinezë.
“Ministri Ben-Gvir uli numrin e inspektorëve në më pak se 20 dhe në vend të tyre emëroi familje të pikëlluara”, tha transmetuesit izraelit. Inspektorët janë përgjegjës për mbikëqyrjen e të burgosurve dhe monitorimin e kushteve të tyre të ndalimit dhe trajtimit në burgjet izraelite.
“Channel 12” raportoi se ky vendim ka shkaktuar kritika brenda Izraelit, me burime politike që e kanë cilësuar si “vendim të çmendur që shkel ligjin dhe dëmton marrëdhëniet ndërkombëtare”.
“Me gjithë respektin për familjet e pikëlluara, në fund të fundit ato nuk përbëjnë një organ zyrtar apo profesional”, u cituan të kenë thënë ish-zyrtarë të lartë të Shërbimit të Burgjeve të Izraelit.
Ish-zyrtarët paralajmëruan se vendimi mund të shkaktojë kritika ndërkombëtare dhe të rrisë tensionet brenda dhe jashtë burgjeve.
Që nga marrja e detyrës në fund të vitit 2022, Ben-Gvir ka ndërmarrë hapa për të ashpërsuar kushtet e ndalimit të të burgosurve palestinezë, përfshirë politika që organizatat e të drejtave të njeriut i përshkruajnë si privim nga ushqimi dhe neglizhencë mjekësore.
Dje, organizata Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael tha se i burgosuri palestinez Imad Sarhan kishte përjetuar neglizhencë mjekësore dhe nuk ishte kontrolluar për më shumë se dy vjet e gjysmë para se të vdiste të shtunën në burgun Gilboa.
Sipas organizatës, Sarhan vuante nga disa sëmundje, përfshirë sëmundje të zemrës, diabet, tension të lartë dhe obezitet. Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, vdekja e Sarhanit e çoi në 104 numrin e të burgosurve palestinezë që kanë vdekur në burgjet izraelite që nga 7 tetori 2023.
Rreth 9.500 të burgosur palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen në burgjet izraelite dhe, sipas raporteve palestineze dhe izraelite për të drejtat e njeriut, përballen me uri, torturë dhe neglizhencë mjekësore që kanë çuar në vdekjen e dhjetëra të ndaluarve.

