Scholz i bën thirrje Putinit të tërheqë trupat nga Ukraina

Scholz i bën thirrje Putinit të tërheqë trupat nga Ukraina
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, i bëri thirrje presidentit rus, Vladimir Putin, që të ndërmarrë hapin e parë drejt një zgjidhjeje paqësore në konfliktin në Ukrainë.

“Ai duhet të tërheqë trupat”, tha Scholz gjatë një vizite në Nuthetal të Gjermanisë më 18 nëntor.

Megjithatë, në pyetjen nëse negociatat e paqes janë të mundura, kancelari gjerman tha se aktualisht nuk ka asnjë sinjal që Putin synon të tërheqë trupat.

Putin nuk duhet të ketë sukses në qëllimin e tij që të përdorë trupat për të aneksuar pjesët e Ukrainës fqinje, tha Scholz.

Kancelari gjerman përsëriti se Gjermania do të vazhdojë të ndihmojë Ukrainën që të mbrohet kundër pushtimit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

Këto deklarata të bëra nga Scholz vijnë në ditën kur ushtria ukrainase njoftoi për sulme masive ruse me dronë në jug dhe veri të Ukrainës, që shënjestruan infrastrukturën e energjisë.

Rusia – që ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurtin e vitit 2022 – dimrin e vitit të kaluar shënjestroi infrastrukturën energjetike, duke lënë miliona ukrainas pa rrymë dhe ngrohje për periudha të gjata kohore. /REL/

 

MARKETING