Sadiku: Projektet në Likovë i financoi VLEN

Kandidati i VLEN-it për Komunën e Likovës, Nexhmedin Sadiku, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, ka denoncuar atë që ai e cilësoi si “manipulim të opinionit publik” lidhur me projektet infrastrukturore në këtë komunë. Ai theksoi se investimet nuk janë meritë e kryetarit aktual, por janë të financuara nga Qeveria VLEN.
“Qeveria VLEN, në seancën e 16 tetorit 2024, mori vendim për financimin e rikonstruksionit të rrugës Orizare – Sllupçan, me një buxhet prej 35 milionë denarësh (570 mijë euro). Ky vendim është marrë në përputhje me Ligjin për financimin e vetëqeverisjes lokale dhe Ligjin për ekzekutimin e buxhetit për vitin 2024”, deklaroi Sadiku.
Ai akuzoi kryetarin aktual të komunës për përvetësim të meritave të këtij projekti, duke shtuar se dokumentet zyrtare dhe tenderimet publike tregojnë qartë se financimi vjen nga Qeveria VLEN. “Edhe aplikimi i komunës në Ministrinë e Transportit, si dhe postimet në faqen zyrtare të kryetarit e konfirmojnë këtë fakt”, u shpreh ai.
Sadiku përmendi edhe projekte të tjera të financuara nga qeveria, përfshirë:
-
30 milionë denarë për rrugën Gllazhnje – Gushincë,
-
5 milionë denarë për fushën sportive në Ropalc,
-
Investime në rregullimin e shtratit të lumit në Orizare,
-
Mbi 110 milionë denarë për rrugë lokale në Likovë, Nikushtak, Vaksincë dhe Sllupçan.
“Qeveria VLEN ka ndarë 250 milionë euro çdo vit për infrastrukturën komunale, ku 30% e fondeve shkojnë për komunat shqiptare. Brenda një viti kemi realizuar projekte që ishin lënë pas dore për dekada. Ky është ndryshimi që do ta sjellim edhe në nivel lokal”, shtoi ai.
Në fund, kandidati i VLEN-it u zotua se me ardhjen e tij në krye të Komunës së Likovës, do të sigurohet ujësjellës, kanalizim modern dhe infrastrukturë dinjitoze për të gjithë banorët. “Me ne, komuna jonë fiton dinjitetin e munguar për 20 vite”, përfundoi Sadiku.