Rusia shpall çlirimin e plotë të rajonit të Kurskut nga Ukraina

Kremlini njoftoi sot se forcat ruse kanë dëbuar plotësisht trupat ukrainase nga rajoni Kursk i Rusisë, transmeton Anadolu.
Shërbimi për shtyp i Kremlinit publikoi një video që tregon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm rus Valery Gerasimov duke informuar presidentin Vladimir Putin mbi përfundimin e operacionit ushtarak.
“Shoku Komandant Suprem, vendbanimi i fundit në territorin e rajonit Kursk, fshati Gornal, është çliruar nga njësitë ukrainase sot”, tha Gerasimov.
Ai shtoi se përpjekja e Ukrainës për të përparuar nuk arriti objektivat e saj.
Gerasimov gjithashtu falënderoi ushtarët e Koresë së Veriut, të cilët, sipas tij, “luftuan krah për krah” me ushtarakët rusë për të çliruar rajonin Kursk nga trupat ukrainase.
Ai shpjegoi se forcat e Koresë së Veriut luftuan vetëm në territorin rus sipas një marrëveshjeje dypalëshe që i jep Rusisë të drejtën të angazhojë forcat ushtarake të Koresë së Veriut për të mbrojtur tokën e saj.
Rusia filloi “operacionin e saj të posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt 2022. Kievi nisi një inkursion në rajonin Kursk gushtin e kaluar.