Rusia: Kemi të drejtë të mbrojmë veten me armë bërthamore

Rusia: Kemi të drejtë të mbrojmë veten me armë bërthamore

Zv/kreu i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka deklaruar se bota do të jetë në prag të një konflikti global nëse SHBA-ja dëshiron humbjen e Rusisë dhe se Rusia në këtë situatë ka të drejtën të mbrojë veten e saj me çdo lloj arme, përfshirë edhe armët bërthamore, transmeton Anadolu.

Medvedev në platformën ‘Telegram’ përmes një deklarate me shkrim vlerësoi pezullimin e Rusisë për pjesëmarrjen në “New START”, marrëveshje e arritur me SHBA-në që synon të frenojë aftësitë e raketave balistike bërthamore ndërkontinentale.

Medvedev tha se SHBA-ja ka bërë “çdo lloj të keqe” kundër Rusisë dhe ka siguruar armë në sasi të konsiderueshme për Ukrainën në përpjekje për të mposhtur Rusinë.

“Por siguria strategjike është një çështje më vete. Nuk ka lidhje me kontekstin e përgjithshëm të marrëdhënieve SHBA-Rusi”, tha ai.

Medvedev njoftoi se qasja që administrata e Washington-it ka paraqitur është një gabim i madh.

“Ky gabim buron nga perceptimet e supremacisë dhe paprekshmërisë. të gjitha fuqitë janë të vetëdijshme se bota është në prag të një konflikti global nëse SHBA-ja dëshiron humbjen e Rusisë. Nëse SHBA-ja dëshiron humbjen e Rusisë, ne kemi të drejtën të mbrojmë veten me çdo lloj arme, përfshirë edhe armët bërthamore”, theksoi Medvedev.

Sipas tij, Rusia vendimin e saj për të pezulluar pjesëmarrjen në “New START” e ka marrë për shkak të hapave të SHBA-së dhe vendeve të tjera të NATO-s.

“Ky është një vendim i shkaktuar nga lufta që SHBA dhe vendet e tjera të NATO-s kanë shpallur kundër vendit tonë, që do të shkaktojë jehonë të madhe në botë dhe kryesisht në SHBA”, u shpreh ai.

Duke rikujtuar komentin e presidentit rus, Vladimir Putin, se “është e pamundur të mundësh Rusinë në fushën e betejës”, Medvedev tha se, “Pikërisht për këtë arsye, tani kemi pezulluar ‘New START’. Elitat që kanë shkëputur lidhjen me të vërtetën në SHBA, le të mendojnë se çfarë kanë arritur. Të shohim edhe reagimet e fuqive të tjera bërthamore në NATO, të Francës dhe Britanisë. Fuqitë e tyre strategjike bërthamore nuk ishin përfshirë teksa përgatiteshin marrëveshjet mes SHBA-së dhe Rusisë, tashmë ka ardhur koha për t‘i përfshirë”.

MARKETING