Rusia: 89 ushtarë rusë humbën jetën në sulmin e Ukrainës me sistemin HIMARS

Rusia: 89 ushtarë rusë humbën jetën në sulmin e Ukrainës me sistemin HIMARS

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se rritur në 89 numri i ushtarëve rusë që humbën jetën në afërsi të rajonit Makiivka si pasojë e sulmeve raketore të ushtrisë së Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga ministria, rikujtohet se Forcat e Armatosura të Ukrainës më 1 janar, sulmuan një prej pikave ku ishin pozicionuar përkohësisht Forcat e Armatosura Ruse në afërsi të vendbanimit Makiivka, në rajonin Donetsk.

Në deklaratë informohet se 2 nga 6 raketat e lëshuara nga sistemi multiraketor HIMARS i prodhimit amerikan, u goditën nga sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, ndërsa 4 raketa goditën ndërtesën ku ishte vendosur personeli ushtarak rus.

“Në inspektimet e kryera në rrënojat e strukturave me beton, fatkeqësisht është rritur në 89 numri i ushtarëve tanë që kanë humbur jetën. Në mesin e të vdekurve ndodhet edhe zv.komandanti i regjimentit, nënkoloneli Bachurin”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu në deklaratë theksohet se multiraketahedhësi nga ku ushtria ukrainase kreu goditjen ndaj rajonit Makiivka, u shkatërrua në kundërsulmin e kryer dhe se komisioni hetimor po punon lidhur me ngjarjen.

Theksohet se shkaku i ngjarjes është përdorimi masiv i telefonave celularë, pavarësisht se ato janë të ndaluar.

“Ky faktor ka lejuar që armiku të gjejë dhe të përcaktojë koordinatat e vendit për të filluar një sulm raketor në zonën ku ndodhej personeli ushtarak. Aktualisht po merren masat e nevojshme që në të ardhmen të mos ndodhin më ngjarje të ngjashme tragjike. Si rezultat i hetimit, zyrtarët fajtorë do të nxirren para drejtësisë”, thuhet në deklaratë.

Ministria ruse e Mbrojtjes, në një deklaratë më 2 janar njoftoi se 63 ushtarë rusë kishin humbur jetën në afërsi të rajonit Makiivka si pasojë e sulmeve raketore të ushtrisë së Ukrainës.

Ndërsa në një deklaratë të bërë nga Zyra e Komunikimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Ukrainës, ishte pretenduar se 400 ushtarë rusë humbën jetën si pasojë e një sulmi të kryer ndaj një qendre që përdorej si bazë në qytetin Makiivka nën kontrollin e ushtrisë ruse, në rajonin Donetsk të Ukrainës.

MARKETING