Rrahmani feston Superkupën e Italisë me Napoli
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka shkëlqyer edhe jashtë fushës pas triumfit të Napolit në finalen e Superkupës së Italisë. Në një video të publikuar nga klubi, Rrahmani shfaqet duke prezantuar “një shok të ri” – dhe me humor tregon se nuk është Elif Elmas, por trofeu i fituar.
“Jam këtu me një shok tjetër. Jo me këtë, por me këtë”, thotë Rrahmani, duke treguar fillimisht Elmasin dhe më pas çmimin e fituar.
Ky moment kujton festën që Rrahmani bëri edhe pas fitimit të Serie A me Napolin. Skuadra e tij mposhti Bolonjan 2:0 në finale, ndërsa më parë kishte eliminuar Milanin me të njëjtin rezultat.
Mbrojtësi 31-vjeçar ka qenë ndër lojtarët më të spikatur në finale dhe tani ka në koleksion dy tituj të Serie A dhe Superkupën e Italisë, përveç sukseseve që kishte arritur më parë me Dinamo Zagrebin.

