Rinis gjykimi ndaj 13 policëve të akuzuar për tragjedinë në “Puls”
Ka nisur nga e para gjykimi ndaj 13 zyrtarëve policorë të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, lidhur me zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan.
Procesi gjyqësor është përsëritur pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, pasi dy gjyqtarë porotë nuk do të mund të marrin pjesë në vazhdimin e procedurës. Në seancën e radhës, të gjithë të akuzuarit sërish deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë dhe mbetën në deklaratat e tyre të mëparshme, ndërsa Prokuroria qëndroi pas aktakuzës së ngritur.
Në tragjedinë e 16 marsit të vitit të kaluar në diskotekën “Puls” humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u lënduan.
Sipas aktakuzës, zyrtarët policorë që ishin në detyrë nuk ndërhynë për të ndërprerë performancën muzikore dhe nuk parandaluan përdorimin e mjeteve piroteknike, të cilat dyshohet se çuan në shpërthimin e zjarrit.

