Rihapja e xhamisë së Et’hem Beut 35 vite më parë, fund zyrtar i ateizmit komunist dhe ngadhënjim i fjalës së Zotit
Rihapja e xhamisë së Et’hem Beut, 35 vite më parë, shënoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë moderne të Shqipërisë, duke përfaqësuar fundin zyrtar të ateizmit komunist dhe rikthimin e lirisë së besimit fetar. Ky akt simbolik nuk ishte vetëm hapja e një objekti kulti, por një ngjarje që riktheu dinjitetin shpirtëror dhe të drejtën themelore të besimit për mijëra qytetarë.
Me këtë rast, Fondacioni ALSAR, në bashkëpunim me Shoqatën “Tirana”, organizon një simpozium përkujtimor kushtuar 35-vjetorit të rihapjes së xhamisë së Et’hem Beut, një monument i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe fetare shqiptare.
Në kuadër të këtij organizimi, u shfaq një dokumentar i realizuar nga Fondacioni ALSAR, i cili sjell dëshmi, emocione dhe kujtime nga dita historike e rihapjes së xhamisë, si dhe pasojat e saj në jetën fetare dhe shoqërore të vendit. Dokumentari synon të ruajë kujtesën kolektive dhe të përcjellë mesazhin e lirisë së besimit për brezat e rinj.
Rihapja e xhamisë së Et’hem Beut mbetet një simbol i fuqishëm i triumfit të fjalës së Zotit mbi ndalimin dhe represionin, si dhe një dëshmi e qartë se besimi dhe shpresa nuk mund të shuhen, pavarësisht rrethanave historike./TVSHENJA

