Rexhep Shahu për Shtetin Bektashian: Kjo është çmenduri, kulmi i marrëzisë
Në lidhje me “shteti bektashian” në Tiranë, për këtë temë ka folur edhe publicisti shqiptar, Rexhep Shahu.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” këtë gjë e cilësoi si “çmenduri”, derisa tha se ende është e paqartë se çfarë fshihet pas këtij “skenari mafioz”. Gjithashtu, kritikoi ashpër kryeministrin Rama, ku vlerëson se për hir të pushtetit ia “vë flakën” Shqipërisë.
“Kjo është çmenduri, kulmi i marrëzisë. Nuk e dimë kush dhe çfarë fshihet pas këtij skenari mafioz ndërkombëtar, por kjo rrufe në gusht na lejon të hamendësojmë skenarë krimi kundër Shqipërisë. Po bindemi se për hir të pushtetit Edi Rama ia vë flakën dhe e zhbënë Shqipërinë. Komunistët sot socialiste shqiptare sollën bolshevizmin, u vëllazëruan me serbët, i bënë miq kosovarët, për pushtetin e partisë së tyre socialiste nuk ndalen para asnjë mëkati. Nuk e di a do të ketë socialistë që e duan Shqipërinë më shumë se sa e duan Edi Ramën dhe aventurat delirante të tij. Tani le të bëjnë 4 Shqipëri, bektashiane, myslimane, katolike, ortodokse”, nënvizoi publicisti.
Publicisti Rexhep Shahu, u shpreh i shqetësuar me heshtjen e socialistëve të veriut, derisa tha kjo është një aventurë që mund ta cenojë sovranitetin e Shqipërisë.
“Shqetësimi im është pse heshtin socialistët gegë, socialistët e veriut. Nëse është për t’u ndarë Shqipëria të ndahet në dy kantone në Gegni e Toskëri aty ku ndahet me bashkim në lumin Shkumbin e secila pjesë të jetojë me pasuritë e veta.
Por, para se gjithash për aventura lidhur me sovranitetin e Shqipërisë të merret leje tek Italia sepse kur janë caktuar kufijtë e Shqipërisë dhe kur u njoh Shqipëria nga Konferenca e Londrës, me 1913 u vendos dhe u shkrua e zeza mbi të bardhë: Fuqitë e mëdha në marrëveshje me Turqinë, vendosën ta njohin dhe shpallin Shqipërinë në kufijtë që ka sot si principate të trashëgueshme sovranitetin e së cilës do ta sigurojë Italia me kërkesën e Shqipërisë.
Pra, jemi në këto kushte dhe po cenohet sovraniteti i Shqipërisë e duhet pyetur Italia”, përmbylli Rexhep Shahu për “Bota sot”.