Remzifaik Selmani transferohet te Partizani
Partizani i Tiranës ka bërë për vete ish sulmuesin e Shkëndijës dhe Renovës, Remzifaik Selmani. Sulmuesi tetovar gjatë ditës së sotme pritet të ju nënshtrohet vizitave mjekësore dhe nëse gjithçka do të jetë në rregull i njëjti me “Demat e Kuq” nga Tirana do të nënshkruaj kontratë për dy vite e gjysmë.
Selmani te Partizani pritet të përforcojë repartin e sulmit, pas transferimit të Xhuliano Skukës te skuadra franceze e Metz, por edhe largimit të sulmuesit maqedonas, Matej Cvetanoski, i cili ditë më parë iu bashkua Akademia Pandevit.
Do të jetë kjo hera e parë që Selmani do provoj veten në Superligën shqiptare, pasi i njëjti përveç me Shkëndijën dhe Renovën në Maqedoni, gjatë karrierës së tij gjithashtu ka luajtur edhe me Llapin në Kosovë si dhe me Ujpeshtin dhe ekipin e Mezőkövesd në Hungari, që njëherit ishte edhe skuadra e tij e fundit.
25-vjeçari Selmani në Ligën e Parë të Maqedonisë numëron 141 ndeshje, 40 gola dhe 16 asistime.