Reagon opozita shqiptare: Ndryshimet në Kodin Penal bëhen për ta shpëtuar Nikolla Gruevskin

Reagon opozita shqiptare: Ndryshimet në Kodin Penal bëhen për ta shpëtuar Nikolla Gruevskin

Më poshtë e gjeni reagimin e plotë të opozitës shqiptare BESA-Lëvizja Demokratike dhe Alternativa:

“Sot jemi këtu para jush që të shpjegojmë se pse qeveria dhe shumica parlamentare e këtij Kuvendi po shpejtojnë me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ndonëse përshkrimi i propozim-ndryshimeve është hartuar me gjuhë elokuente dhe me argumente europiane, kjo mund të kalojë tek ata që nuk dinë të lexojnë tekste juridike ose që nuk e kuptojnë hilenë e qeverisë e të këtij pushteti, por jo edhe tek ne.

Që në këtë konferencë për media të mos ju mërzisim me detaje juridike, sepse për ato do të kujdesemi të deklarohemi përmes amendamenteve, ajo që sot duam ta themi është se arsyeja themelore se pse po bëhen këto ndryshime në Kodin Penal është që sa më shpejt në Shkup të rikthehet, pa ferrë në këmbë, Nikolla Gruevski. Opinioni ka të drejtë ta dijë, ndërsa kryeministri Kovaçevski e ministri i Drejtësisë Lloga këtë e kanë detyrim ta shpjegojnë, se nëse kalon ky propozim-ndryshim i Kodit Penal, ndërsa ata e kanë shumicën ta kalojnë, pas kësaj lirisht mund t’ia presin Nikolla Gruevskit edhe një biletë njëkahëshe Budapest-Shkup e të dalin ta presin me të gjitha nderimet shtetërore.

Për informacion të opinionit, Nikolla Gruevski për lëndën “Tanku” është i dënuar me dy vjet burg. Për lëndën “Titanik”, që është në vijim e sipër, me Kodin Penal aktual mund të dënohet deri në dhjetë vjet, ndërsa me ndryshimin e ri mund të dënohet me dy ose tre vjet burg. Për lëndën “TNT” ai është i dënuar me 9 vjet burg. Për lëndën “Dhuna në Komunën Qendër” është i dënuar me 1 vjet e 6 muaj burg. Për lëndën “Feniks” ende nuk ka vendim. Lënda “Talir” është kthyer në fillim të procedurës. Për lëndën “27 Prilli” procedura për Gruevskin është ndërprerë. Për lëndën “Talir 2” ai është dënuar me 6 vjet burg, ndërsa lënda është në Gjykatën e Apelit. Lënda “Traketorija” tashmë është vjetruar, ndërsa për lëndën “Trualli në Vodno” është dënuar me 7 vjet burg.

Megjithatë, me këto propozim-ndryshime në Kodin Penal, që i propozon pushteti LSDM-BDI-ASH, krejt këto dënime të shqiptuara ndaj Gruevskit dhe ato që mund të vijojnë, bien në ujë. Për të gjitha lëndët në të cilat është gjykuar ose po gjykohet në mungesë ai mund të kërkojë përsëritje të procedurës, ndërsa – me këto ndryshime të Kodit Penal – të gjitha lëndët në atë rast do t’i shpallen të vjetruara dhe Gruevski, eventualisht, mund të gjykohet vetëm për lëndët “Tanku” dhe “Dhuna në Komunën Qendër”, që nuk parashohin më shumë se tre vjet burg, ndërsa me këso marifete manipulimi të drejtësisë siç dinë të bëjnë treshja Kovaçevski-Ahmeti-Taravari jemi të bindur se arrijnë ta shpëtojnë fare dhe bile t’i paguajnë dëmshpërblim e ta shpallin hero atë.

Qytetarë të dashur, e pse kaq shumë i ngutet pushtetit që Kodin Penal, një temë kaq të rëndë e rëndësishme, ta miratojë me kaq urgjencë, madje ta vendosë në Komisionin e Çështjeve Europiane të Arbër Ademit të BDI-së e me flamur të BE-së, këtë duhet ta shpjegojnë ata. Se si lidhet shpëtimi i Gruevskit me Bashkimin Europian, këtë mund ta dinë vetëm treshja Kovaçevski-Ahmeti-Taravari.

Përveç kësaj, ne kemi dyshime të thella dhe të bazuara se ndryshimet e Kodit Penal po propozohen edhe sepse eksponentë të lartë të BDI-së, por edhe të LSDM-së, e dinë se pas zgjedhjeve të ardhshme do të jenë në opozitë dhe prandaj duan të krijojnë kornizë që mos t’i kapë ndjekja penale. Se për çfarë frikësohen, ata e dinë më së miri, ndërsa ne do ta marrim vesh vetëm pasi që ta kemi në dorë pushtetin, kur do të kemi qasje në krejt të palarat e këtij pushteti antipopullor.

Ajo që bie në sy është se propozim-ndryshimi i Kodit Penal nuk është nënshkruar nga ministri i Drejtësisë, por nga zëvendësi i tij. A dëshiron kështu ASH-ja t’i lajë duart si Pilati dhe të thotë se ajo nuk ka faj për shërbimin që i bëhet Gruevskit? Ne presim që edhe ministri i Drejtësisë, por edhe kreu i ASH-së, të dalin të tregojnë se a pajtohen me këto ndryshime të Kodit Penal. Nëse nuk pajtohen, atëherë më e pakta që mund ta bëjnë si parti që është që ministri Lloga të japë dorëheqje, sepse e dimë tashmë se ata nuk mund të dalin më prej qeverie.

Krejt kjo çfarë po ndodhë me ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut na bind edhe një herë se pse kjo shumicë dhe kjo qeveri ka frikë nga propozim-amendamenti ynë për sanksionim kushtetutës të luftës kundër korrupsionit, në mënyrë që ato lëndë të mos vjetrohen kurrë. Sepse ndryshe as Mijallkovi nuk do të shpëtonte, as Gruevski nuk shpëton nesër, por as të tjerët pas tyre që e kanë shkelur vijën e kuqe.
Një pushtet që koketon me Gruevskin, për çfarëdo interesi, nuk e meriton më besimin e qytetarëve.”

MARKETING