Rama: Po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare me të drejta të plota e BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se po ndërtojnë Shqipërinë që duan të shohin si anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu.
Në Bruksel është mbajtur sot Konferencën e nëntë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim, duke shënuar mbylljen provizore të kapitujve të parë, 25, 26 dhe 30, që lidhen me Kërkimin Shkencor, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë.
Në përfundim të konferencës ndërqeveritare u mbajt konferenca për mediat e kryeministrit Rama, komisioneres për Zgjerim e BE-së, Marta Kos dhe ministrit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, vendi i të cilit mban presidencës e radhës të BE-së.
Rama u shpreh se ajo çfarë ndodhi sot shënon vërtet një gurë kilometrik tjetër shumë të rëndësishëm në “rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë drejt BE-së”.
“Ky nuk është thjesht një hap në këtë proces të gjatë, por një vlerësim i artë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithmonë e më tepër i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit”, tha Rama.
Rama theksoi se mbyllja e kapitujve të parë është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të fuqishëm, që sipas tij është se Shqipëria jep rezultate dhe BE-ja jep rezultate.
“Shqipëria ecën përpara dhe BE-ja reagon në përputhje me këtë dhe ky është thelbi i procesit, proces i besueshëm bazuar në meritë nga të dy anët”, shtoi ndër të tjera Rama.
“Po, ne po sjellim standardet evropiane më pranë qytetarëve tanë, po forcojmë institucionet tona, po krijojmë më shumë mundësi dhe po ndërtojmë Shqipërinë që duam të shohim si anëtare me të drejta të plota e BE-së”, u shpreh më tej Rama.
Komisonerja Kos theksoi se Shqipëria ecën përpara sipas saj drejt objektivit të saj ambicioz për të mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Sot mbyllëm tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Është një moment i madh për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Është një super e martë për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë e saj. Praktikisht Shqipëria ka qenë nëpërputhje të plotë me politikën e jashtme të BE-së për shumë vite tashmë”, tha Kos.
Ministri Byrne u shpreh se sot është një ditë vërtet e rëndësishme për Shqipërinë, por sipas tij e rëndësishme edhe për Bashkimin Evropian.
“Shqipëria ka nisur sot dukshëm mbylljen e kapitujve të negociatave. Këshilli ka rënë dakord që Shqipëria është gati të mbyllë 3 kapituj negiciues. Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj drejt BE-së me mbylljen e këtyre kapitujve dhe ne shohim Shqipërinë të hyjë në një fazë të re të anëtarësimit”, tha ministri Byrne.
Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE-në nisën zyrtarisht në korrik 2022. Shqipëria synon të përfundojë negociatat deri në vitin2027, ndërsa synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

