Rama: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, element sigurie për Ballkanin

Rama: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, element sigurie për Ballkanin

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se baza ajrore taktike e NATO-s në Kuçovë është e një rëndësie e cila i tejkalon kufijtë e Shqipërisë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të kësaj baze, Rama u shpreh se baza ajrore taktike në Kuçovë është një element sigurie për Ballkanin Perëndimor, që sikurse theksoi kreu i qeverisë “nuk është i parrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”.

“Jam i lumtur që një punë e nisur prej shumë kohësh arriti të përfundojë dhe këtu bashkë me ne janë dhe plot miq e partnerë, Aleatë, të cilët do doja të falënderoja ministrin e mbrojtjes së Italisë i cili ka ardhur me avionë luftarakë me vete dhe nga ana tjetër falënderoj miqtë e aleatët tanë të paçmueshëm turq të cilët pothuajse tre dekada mbajtën gjallë frymën e kësaj baze e cila sot është krejtësisht e transformuar dhe e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë që është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperaliste të federatës ruse”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është pjesë e ripërtëritjes cilësore të flotës ajrore.

“Dy helikopterët e rinj dhe dronët Bajraktar, janë pjesë e një rritje që do vazhdojë”, garantoi Rama.

Kryeministri u shpreh se kjo bazë e re ajrore do të hapë vende të reja pune, si dhe do të ndikojë pozitivish në ekonominë lokale. Ndër të tjera, ai u shpreh se baza e re ajrore e NATO-s do të shoqërohet nga baza detare në Porto-Romano për të cilën shtoi se po punohet ngushtësisht me Aleancën.

“Nga ana tjetër, falënderoj banorët e zonës për durimin e treguar gjatë rehabilitimit e rindërtimit të kësaj baze. Uroj që kjo bazë të sjellë për ta mundësi të reja punësimi dhe mundësi të reja për zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale.

Kjo bazë e re taktike ajrore e NATO do shoqërohet nga baza e re detare e NATO-s në PORTO-Romano për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe së shpejti do i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, tha ai.

Ditën e sotme (4 mars) u mbajt ceremonia e hapjes së bazës së re ajrore të NATO-s në Shqipëri. Të pranishëm në këtë ceremoni, ishin Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Kryeministri Edi Rama, Presidenti Bajram Begaj, i Ngarkuarit me Punë i Ambasadës Ameriakne David Wisner, Ministri turk i Mbrojtjes Yaşar Güler, Ministri italian i Mbrojtje Guido Crosetto, etj,.

Kjo bazë, falë investimeve të realizuara, me infrastrukturë moderne për avionët luftarakë të Aleancës, është e një rëndësie të veçantë, ku nga ekspertët e fushës së aviacionit është konsideruar si ‘syri” i NATO-s në Evropë. Për këtë bazë nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare.

MARKETING