QMK: Pas motit të ligë që dje përfshiu vendin, janë regjistruar vetëm dëme materiale, nuk ka të lënduar

Pas stuhisë së fuqishme që goditi dje pjesë të ndryshme të vendit, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK) njoftoi se ka aktivizuar menjëherë mekanizmat e saj për monitorim dhe koordinim të situatës.
MARKETING
Sipas njoftimit zyrtar, drejtori i QMK-së, Muhamet Ali, ka ndjekur nga afër zhvillimet gjatë gjithë ditës dhe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas ndaj pasojave të motit ekstrem.
“Drejtori Muhamet Ali monitoroi situatën gjatë gjithë ditës dhe ishte në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente, me qëllim që pasojat e stuhisë të përballoheshin menjëherë dhe në mënyrë efikase,” thuhet në deklaratën e QMK-së.
Nga të dhënat e para, dëmet janë kryesisht materiale. Janë regjistruar përmbytje në disa rrugë, rrëzime pemësh dhe bllokime të përkohshme të trafikut. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Të gjitha shërbimet përkatëse – përfshirë ato të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, zjarrfikësit dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim – janë njoftuar dhe janë në gatishmëri për të vepruar sipas kompetencave të tyre.