QMK: Gjithsej 250 persona janë evakuuar në rajonin e Kërçovës, nuk ka vërshime të reja
Situata me përmbytjet që goditën disa rajone të vendit gjatë fundjavës, si pasojë e reshjeve të rrëmbyeshme, mbetet e pandryshuar, dhe shërbimet kompetente janë ende në terren, ku po ndërhyjnë për të nxjerrë ujin nga ndërtesat.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza thonë se banorët e disa rrugëve dhe vendbanimeve në rajonin e Kërçovës, shtëpitë e të cilëve u përmbytën, ende po akomodohen në sallën sportive “Hristo Uzunov”. Bëhet fjalë për 250 persona të evakuuar, të cilëve u është siguruar ushqim, ujë dhe produkte higjienike.
Sipas informacionit të Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK) për situatën e përmbytjeve deri në orën 8:30 të mëngjesit të sotëm, nuk ka njoftime të reja për dalje nga shtrati të lumit Vardar pranë fshatit Forinë, si dhe për rrjedha të tjera ujore ku dje u regjistruan dalje nga shtrati dhe përmbytje.
“Ndalimi i lëvizjes së autobusëve është vendosur në rrugën Tetovë – Kodra e Diellit, ndërsa përdorimi i pajisjeve dimërore është i detyrueshëm për automjetet e tjera të pasagjerëve. Në Rajonin e Manastirit, nëpërmjet Numrit të Vetëm të Thirrjes për Emergjenca – 112, sipas informacionit nga Qendra Qendrore e Menaxhimit të Emergjencave, është marrë një raport nga një banor i rrugës “Bukviski Most” për një shtëpi të përmbytur”.
“Rasti është raportuar në Departamentin Territorial të Zjarrfikësve të Manastirit për veprime të mëtejshme”, tha Qendra e Menaxhimit të Krizave.
Në zonën e Kërçovës, siç raportohet nga Qendra Qendrore e Menaxhimit të Krizave, nuk ka përmbytje të reja të ndërtesave.

