Qindra banorë evakuohen nga rajoni rus Voronezh, pas zjarrit në një depo armësh

Qindra banorë evakuohen nga rajoni rus Voronezh, pas zjarrit në një depo armësh

Një zjarr i madh në një depo armësh ka bërë që autoritetet lokale t’i evakuojnë rreth 600 banorë nga rajoni Voronezh në jugperëndim të Rusisë.

Guvernatori Aleksandr Gusev tha në Telegram se zjarri në qarkun Ostrogoz të këtij rajoni u shkaktua nga rënia e dronëve të shkatërruar mëngjesin e së shtunës. Ai tha se banorët e disa vendbanimeve u evakuuan në vende të sigurta dhe shtoi se nuk ka të lënduar.

Disa video që u postuan në rrjetet sociale shfaqën një zjarr të madh. Në to u dëgjuan qartazi edhe disa shpërthime. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke raportuar për dronët ukrainas që u rrëzuan mbi rajonet jugperëndimore të vendit, Belgorod dhe Kursk, nuk përmendi sulmet me dronë në rajonin Voronezh.

Gusev njoftoi në fund të gushtit evakuimin e rreth 60 banorëve nga Ostrogozi i rajonit Voronezh, pasi rrëzimi i dyshuar i dronëve shkaktoi zjarre dhe shpërthimin e eksploziveve që zgjatën dy ditë.

MARKETING