Qeveria: Po përgatitet ndërtimi i autostradës moderne Prilep – Manastir, gjatë ditëve në vijim do të kryhen kërkimet gjeomekanike

Qeveria: Po përgatitet ndërtimi i autostradës moderne Prilep – Manastir, gjatë ditëve në vijim do të kryhen kërkimet gjeomekanike

Qeveria informon se në ditët në vazhdim do të kryhen kërkime gjeomekanike në terren për përgatitje për ndërtimin e autostradës së korridorit 10 D e cila do të lidhë Prilepin dhe Manastirin, pasi dje zyrtarisht u shënua fillimi i punimeve. Kjo është konform me dinamikën e parashikuar të marrëveshjes.

“Vazhdojnë punët ndërtimore përgatitore në korridorin 10D të autostradës Prilep – Manastir si pjesë e aktiviteteve për ndërtimin e këtij korridori, fillimi i të cilit u shënua dje në Prilep dhe i cili do t’i sigurojë vendit tonë autostradë moderne e që do të përshpejtojë udhëtimin në shtetet fqinje. Kjo autostradë me gjatësi totale prej 39.3 kilometra është prioritet për qytetarët e Prilepit, Krushevës, Manastirit, Mogillës, Novacit, Resnjës, si dhe për të gjithë të tjerët që jetojnë apo transitojnë nëpër këtë rajon”, theksojnë në Qeveri.

Projekti parasheh ndërtimin e pjesëve moderne të autostradës në katër linja rrugore me gjatësi prej 110 kilometrash, si pjesë e korridoreve 8 dhe 10D: autostrada Tetovë – Gostivar, Gostivar – Bukojçan, Trebenisht – Strugë – Qafë Thanë dhe autostrada Prilep – Manastir. Autostradat janë planifikuar të ndërtohen në katër vite e shtatë muajt e ardhshëm, ndërsa kontraktor i projektit është konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”.

“Korridori 10D dhe Korridori 8 janë projekti më i madh infrastrukturor në historinë e vendit tonë. Modernizimi i dy korridoreve 8 dhe 10D për Maqedoninë e Veriut janë një mundësi për integrim të plotë me rajonin dhe me rrjetin evropian të korridoreve në Evropë, përmes të cilit krijojmë mundësi për konkurrencë ekonomike dhe përparim të vendit. Ky projekt është më i rëndësishmi në historinë e vendit tonë dhe për arsye se Korridori 8 bëhet pjesë e rrjetit të korridoreve kryesore trans-evropiane ku javën e ardhshme Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimi Evropian do ta nënshkruajnë aneksin e marrëveshjes me të cilën Korridori 8 përfshihet në korridoret kryesore në Ballkanin Perëndimor si pjesë e rrjeteve trans-evropiane të BE-së”, theksojnë nga Qeveria, duke shtuar se me realizimin e këtij projekti rrumbullakojmë aksin rrugor Lindje-Perëndim me çka vendi lidhet me dy porte: një në Burgas, Republika e Bullgarisë dhe tjetri në Durrës, Republika e Shqipërisë.

“Me realizimin e këtij projekti sigurohen 8.000 vende të reja pune, investime të reja prej 1.3 miliardë euro dhe rritje nominale të PBV-së prej 2 për qind në vit për pesë vitet e ardhshme”, theksojnë mes tjerash në Qeveri. /Mia/mk

MARKETING