Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për pushtet lokal

Qeveria miraton ndryshimet në Ligjin për pushtet lokal

Në seancën e sotme, Qeveria e Maqedonisë ka miratuar ndryshimet e Ligjit për Pushtetin Lokal, një projektligj që është diskutuar gjerësisht në opinion për një kohë të gjatë. Ky ligj, që për të hyrë në fuqi duhet të votohet në Kuvend, sjell disa ndryshime të rëndësishme, përfshirë mundësinë e mbajtjes së një referendumi për shkarkimin e kryetarit të Komunës, një mundësi që deri më tani nuk ishte parashikuar nga korniza ligjore aktuale.

Sipas ndryshimeve, nëse 20% e qytetarëve kërkojnë një mocion për shkarkimin e kryetarit të komunës, Këshilli Komunal do të jetë i detyruar të shpallë referendum për këtë çështje. Po ashtu, ligji parashikon themelimin e Policisë Komunale, një premtim që është bërë nga shumë parti politike gjatë fushatave të tyre.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përfshirja e qytetarëve në procesin e hartimit të buxhetit të komunave. Po ashtu, ligji synon të mundësojë që këshilltarët të kenë të drejtën të bëjnë pyetje për të gjithë bartësit e funksioneve komunale, përveç kryetarit. Në këtë kuadër, kryetari i komunës do të jetë i detyruar të raportojë para Këshillit Komunal së paku një herë në vit për punën e tij dhe realizimin e angazhimeve.

MARKETING