Qeveria e pranoi Planin operativ për programe aktive dhe masa për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2023

Qeveria në mbledhjen e sotme të 146-të e shqyrtoi dhe pranoi Planin operativ për programe dhe masa aktive për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2023, me propozim të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
“Siç shpjegoi MPPS, me Planin operativ zgjerohet përfshirja e programeve dhe masave për punësim dhe shërbime në tregun e punës për vitin 2023, me çka do të sigurohet krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja e punësimit të personave të papunë, veçanërisht e të rinjve, të papunëve në kohë të gjatë dhe shfytëzuesve të të drejtës në bazë të ndihmës minimale të garantuar”, njoftoi shërbimi për informim i Qeverisë.
Me Planin operativ për vitin 2023 theks i veçantë i vihet personave të rinj të papunë deri më 29 vjet, të papunëve në kohë të gjatë si dhe shfrytëzuesve të ndihmës minimale të garantuar.Risi në Plan, informoi shërbimi për informim i Qeverisë, është ajo që persona me kualifikim të ulët, me minimum arsim fillor të përfunduar, mund të përfshihen në masat për punësim.
“Të gjithë personat e papunë të evidentuar dhe punëdhënës kanë qasje në programe, gjegjësisht masat dhe shërbimet për punësim. E drejta për pjesëmarrje përcaktohet në bazë të kushteve dhe kritereve të definuara për çdo program veçmas gjegjësisht masa dhe shërbime për punësim, ndërsa si rregull i përgjithshëm synohet të arrihet përfaqësimi i njëjtë i burrave dhe grave, sipas Ligjit për mundësi të barabarta të grave dhe burrave, si dhe pjesëmarrjes së të rinjve deri 29-vjeç prej të paktën 40 për qind në secilin nga programet dhe masat dhe shërbimet për punësim”, bëhet e ditur në kumtesën e Qeverisë. Bartëse e Planit Operativ është Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, ndërsa zbatimi i saj është kompetencë e Agjencisë për Punësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në partneritet me institucione dhe organizata të tjera përgjegjëse.