Qeveria e Maqedonisë së Veriut dërgon ndihmë shtesë në Turqi
Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim për dërgimin e ndihmës shtesë në Türkiye pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin më 6 shkurt, transmeton Anadolu.
Këto vendime qeveria i ka marrë në seancën e 128-të të qeverisë të mbajtur dje.
“Është miratuar vendim, me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, që të dërgohen 36 pjesëtarë shtesë të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut – Batalioni për Operacione Speciale, për të marrë pjesë në një operacion humanitar në Republikën e Türkiye-s”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Gjithashtu bëhet e ditur se u miratua vendim për dërgimin e 32 personave tjerë nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – pjesëtarë të Forcave Republikane për Mbrojtje dhe Shpëtim, për të marrë pjesë në ofrimin e ndihmës për Republikën e Türkiye-s në sanimin e pasojave të tërmetit.
“Sipas informacioneve të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, janë dërguar pajisje komplete të specializuara dhe mjete materialo-teknike për kërkim-shpëtim nga rrënojat, 10 automjete për transportin e pajisjeve dhe njerëzve”, thuhet në njoftim.
Nga ana tjetër, sipas njoftimit të Qytetit të Shkupit, Këshilli i Qytetit të Shkupit, sot miratoi vendimin për dhënien e ndihmës financiare për zonat e prekura nga tërmeti katastrofik në Türkiye dhe Siri në vlerë prej 6 milionë denarë.
“Mjetet do të paguhen nëpërmjet llogarisë për ndihmë humanitare të Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut dhe të njëjtat sigurohen nga ‘shpenzimet e paparashikuara’ në kuadër të Buxhetit të Qytetit”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së djeshme, Qyteti i Shkupit dërgoi edhe një ekip intervenues të Njësisë Zjarrfikëse të Qytetit të Shkupit për të ndihmuar në misionin e shpëtimit në Gaziantep. Nga Qyteti i Shkupit njoftojnë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet lokale dhe janë në dispozicion për të gjitha kërkesat që mund të dalin në kuadër të operacionit të shpëtimit.
“Qyteti i Shkupit është qytet i solidaritetit”, thuhet në njoftim.