Punonjësit e hekurudhave në Gjermani sërish përgatiten për grevë

Punonjësit e hekurudhave në Gjermani sërish përgatiten për grevë

Sindikata e Punëtorëve të Hekurudhave të Gjermanisë (EVG) u ka bërë thirrje punonjësve të hekurudhave që të hyjnë në një grevë paralajmëruese kolektive për të detyruar punëdhënësit të pranojnë kërkesat e tyre për një rritje të pagave prej 12 për qind në vazhdën e inflacionit të lartë, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, sindikata bëri thirrje për një grevë të tretë për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme mbi pagat midis kompanisë gjermane hekurudhore Deutsche Bahn (DB) dhe kompanive të tjera dhe punonjësve të tyre.

Vendimi përfundimtar se kur do të mbahet greva do të shpallet në konferencën për media që do të mbahet nesër në mëngjes (11 maj).

Thirrja për grevë erdhi pasi raundi i tretë i bisedimeve me punëdhënësit nuk rezultoi me marrëveshje.

Në dy muajt e fundit, anëtarët e EVG-së kanë mbajtur dy greva paralajmëruese që kanë shkaktuar ndërprerje masive në linjat e trenave të pasagjerëve në distanca të gjata dhe rajonale.

Negociatat për rritjen e pagave mes DB-së dhe EVG-së janë planifikuar të rifillojnë në fund të majit.

EVG-ja ka refuzuar ofertën e Deutsche Bahnit për rritje prej 10 për qind për punëtorët me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe një rritje prej 8 për qind për punëtorët me të ardhura më të larta, si dhe një pagesë të njëhershme prej 2.850 eurosh për rritjen e kostove të jetesës, duke kërkuar rritje prej 12 për qind të pagave për 230 mijë punonjës ose të paktën 650 në muaj më tepër pagë.

Menaxheri i Burimeve Njerëzore në Deutsche Bahn, Martin Seiler, në një deklaratë, i ka përshkruar ofertat e rritjes për punonjësit si të drejta dhe ka kritikuar vendimin e sindikatës për grevë.

“Shpallja e një greve në përgjigje të kësaj është krejtësisht e tepruar dhe krejtësisht joproporcionale. Në tryezë është oferta 10 për qind, më e larta në historinë e DB-së”, është shprehur ai.

MARKETING