PSD-ja u dënua me 20 mijë euro nga AIP, Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët për ta paguar gjobën

PSD-ja u dënua me 20 mijë euro nga AIP, Molliqaj kërkon ndihmë nga qytetarët për ta paguar gjobën

Agjencia për Informim dhe Privatësi ka dënuar PSD-në për publikimin e të dhënave të peticionit kundër Zajednicës, duke i shqiptuar gjobë 20 mijë euro.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD) Dardan Molliqaj ka kerkuar ndihmë nga qytetarët për ta paguar gjobën.

Molliqaj përmes një shkrimi në rrjetin Facebook u shpreh se kjo Agjenci, e cila, sipas tij, drejtohet nga një militante e LVV-së, ka dënuar pa arsye PSD-në.

“Shteti i kapur nga Albin Kurti sot po përdoret për luftë speciale kundër opozitës. Agjensioni i Privatësisë që drejtohet nga një militante e VV-së, e dënoi PSD-në me 20 mijë euro gjobë, pa arsye, n’shpërputhje me ligjin dhe vetëm për shkak të presionit që i erdhi nga Qeveria. Qeverisë së Zajednicës, i paska penguar aq shumë që ia kemi shpalosur peticionin që po e shkelë”- është shprehur Molliqaj.
Tutje ai shton se PSD është subjekt me të hyra të vogla dhe pa ndihmën e qytetarëve nuk do mund të paguajnë këtë gjobë.

“PSD është subjekt me të hyra shumë të vogla financiare dhe pa ndihmën tuaj nuk do të mund të paguajmë asnjë dënim dhe përmbaruesit privatë, të angazhuar nga Qeveria, do t’fillojnë me konfiskimin e çdo gjëje që i takon PSD-së”- shtoi më tej Molliqaj.

Molliqaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndihmojnë me mjete financiare për të përballuar këtë dënim, sipas tij, të jashtëligjshëm.

“Prandaj ju bëj thirrje sot që të na ndihmoni me kontribute financiare, për ta përballuar këtë dënim tërësisht të padrejtë e të jashtëligjshëm. Ne do të bëjmë edhe padi gjyqësore kundër këtij dënimi, por ndërkohë konfiskimet përmbaruese do të fillojnë shumë shpejt”- shtoi ai.

MARKETING