Protestat në Gjermani, Scholz: Kemi nevojë për paqe dhe gatishmëri për kompromis

Protestat në Gjermani, Scholz: Kemi nevojë për paqe dhe gatishmëri për kompromis

Kancelari gjerman Olaf Scholz të shtunën bëri thirrje për paqe dhe gatishmëri për kompromis në një kohë kur Gjermania po përballet me protestat e fermerëve për një plan për t’i dhënë fund subvencioneve.

Fermerët bllokuan rrugët kryesore me traktorë, duke penguar trafikun në të gjithë Gjermaninë në shenjë proteste ndaj planit të administratës për t’i dhënë fund uljes së taksave për naftën e përdorur në bujqësi.

Protesta vazhdoi, pavarësisht se administrata zbuti planin fillestar, duke deklaruar se, ndër të tjera, do të mbetet në fuqi përjashtimi nga taksat për automjetet bujqësore.

Kancelari gjermane theksoi në videomesazhin e tij se po i marrin seriozisht argumentet e fermerëve dhe këmbënguli se administrata do të dalë me një “kompromis të mirë”, megjithëse fermerët vazhdojnë të këmbëngulin që subvencionet të mos ulen fare.

Anulimi i përfitimeve tatimore për fermerët ka ardhur nga nevoja për të mbyllur një “gropë të madhe” në buxhetin e këtij viti të Gjermanisë, shkruan AP.

Protesta e fermerëve zhvillohet në një kohë kur shumica e popullsisë së Gjermanisë është shprehur e pakënaqur me punën e koalicionit të udhëhequr nga Scholzi.

Kancelari pranoi se shqetësimet e publikut nuk lidhen vetëm me subvencionet bujqësore dhe se krizat dhe konfliktet i bëjnë njerëzit të kenë frikë nga e ardhmja.

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar mbështetje gjatë vitit të kaluar dhe aktualisht është në vendin e dytë për nga popullariteti. Rezultatet e sondazhit tregojnë se AfD ka mbështetjen e më shumë se 20 për qind të publikut.

Autoritetet kanë paralajmëruar se grupet e ekstremit të djathtë mund të përfitojnë nga protestat e fermerëve.

MARKETING